-Kulturë

Romani “100 vjet vetmi” do të ekranizohet nga Netflix


               Publikuar në : 08:50 - 07/03/19 |
eri on

Romani i famshëm i realizmit magjik “100 vjet vetmi” së shpejti do të ekranizohet nga “Netflix”. 52 vite pas botimit të librit, familja e Gabriel Garcia Marquez ka dhënë miratimin që romani të kthehet në film. Dy djemtë e nobelistit Marquez, Rodrigo dhe Gonzalo Garcia Marquez do të jenë producentë të filmit të ri.

“Për shumë vite, babai nguroi t’i jepte të drejtat e librit pasi mendonte se realizimi në një gjuhë tjetër përveç spanjishtes do të ishte i padrejtë dhe i kufizuar. Megjithatë, në ditët e sotme me nivelin e lartë të shkrimit dhe të regjisë, cilësia e kinematografisë ka ndryshuar”, kanë thënë ata.

Historia e librit më të famshëm të Gabriel Garcia Marquez-it fillon në mars të 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike. Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm.

Gabriel Garcia Marquez ka fituar çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 dhe konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore dhe përfaqësuesi kryesor i rrymës së realizmit magjik. U nda nga jeta më 17 prill 2014./Opinion.al

Pas