Kryeministri Edi Rama përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale ka zbuluar në shifra rritjen që do t’i bëhet pensioneve sipas çdo kategorie. Sipas kreut të ekzekutivit pensionet do të rriten çdo vit përgjatë mandatit të tretë të qeverisë së tij, ashtu siç u premtua në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit.
Pensionistët do të marrin edhe bonusin e fundvitit, nga i cili do të përfitojnë 515 mijë individë dhe do të jetë më i lartë se vitin e kaluar.
“Mbrëmë i përcollëm parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam realisht i lumtur sot tu them pensionistëve se jua ashtu siç u zotuam në zgjedhje ky mandate do të jetë mandate i rritjes së përvitshme të pensioneve. Siç e kam thënë gjithnjë kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi: Pensionet. Por pikërisht se nuk jemi më ai vendi që mezi mbahej në këmbë, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam. Të arrijmë vit për vit të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori. Kështu pensionistët tanë përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë tanimë një rritje të shtrirë muaj për muaj. Përmbi indeksimin e përvitshëm natyrisht”, tha Rama.
Konkretisht sipas kategorive në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:
Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27.350 që është sot
Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15.850 lekë që është sot
Pensioni rural të shkojë në 18 mijë lekë të reja nga 11.500 që është sot
Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11.400 që është sot
Pensioni i invaliditetit të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot
Prandaj nga janari i vitit 2026 pensionet do të rriten çdo muaj përmbi indeksimin si vijon:
Pensioni urban me vite të plota pune – 1.800 lekë
Pensioni urban i pjesshëm – 800 lekë
Pensioni rural – 1000 lekë
Pensioni familjar – 700 lekë
Pensioni I invaliditetit – 600 lekë
Kryeministri sqaroi më tej se të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen në 2028 dhe do të katërfishohen në 2029.
“Për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti kur shqiptarët na dhanë plot 83 mandate. Ky jam unë dhe këta jemi ne, them dhe themi atë që bëjmë, dhe bëjmë gjithnjë atë që themi”, theksoi Rama.
	    	
		    
















