Aktualitet

Rama: Bluzat e bardha do të kenë rritjen më të madhe të pagave në histori


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:37 - 22/09/20 |
Al Do

Në dy vitet e fundit qeveria ka punësuar 600 mjekë dhe 2,400 infermierë sipas kryeministrit Edi Rama.

Ai i ka dhënë këto shifra në një postim në Facebook, ku shton se mjekët dhe infermierët janë punësuar  “falë një procesi transparent përzgjedhjeje përmes platformave digjitale”.

Kryeministri Rama shto gjithashtu se së shpejti bluzat e bardha do të kenë rritjen më të madhe të pagave në historinë e tyre.

Mirmëngjes dhe me këtë të dhënë të thjeshtë, ku shihet se si nga qendrat shëndetësore në zonat më të thella në spitalet në zemër të Tiranës, më shumë se 600 mjekë dhe mbi 2400 infermierë, janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik vetëm 2 vitet e fundit, falë një procesi transparent përzgjedhjeje përmes platformave digjitale, jashtë politikës e tarafeve që e mbajtën peng për çerekshekulli shëndetësinë tonë dhe gjithashtu me lajmin e mirë për ta e kolegët e tyre, se shumë shpejt të gjitha bluzat e bardha do të kenë rritjen më të madhe të pagave në historinë e tyre, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

Por nga ana tjetër shifrat nga ministria e financave tregojnë për ulje të shpenzimeve për mjekësinë. Në 6-mujorin e parë 2020 shpenzimet e përgjithshme për sektorin e shëndetësisë rezultuan në ulje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 83 milionë lekë ose -0.1%. Sektori i shëndetësisë u përball këtë vit me presion të lartë për blerjen të pajisjeve dhe medikamenteve shtesë për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, duke marrë edhe një financim shtese prej 4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit për këtë vit. Por të dhënat faktikë tregojnë se, shpenzimet për shëndetësinë jo vetëm që nuk janë rritur, por rezultojnë poshtë faktit të vitit të kaluar.

Shqipëria u rendit e parafundit në Europë për Indeksin i Kujdesit Shëndetësor në gjysmën e parë të vitit 2020 nga Numbeo, portali më i madh global për kostot e jetesës dhe të dhënave për cilësinë e kujdesit shëndetësor. Sipas përditësimit të fundit që i përket janar-qershor 2020 Shqipëria mori 53.2 pikë nga 100 të mundshme duke lënë pas vetëm Hungarinë.

Edhe tregues të tjerë të publikuar nga organizata vendase dhe huaja, duke përfshirë edhe Organizatën Botërore të Tregtisë bënë theksin se sistemi shëndetësor shqiptar ka kapacitete të dobëta, me një numër të ulët stafesh mjekësore, burime të pakta financimi dhe një infrastrukturë të vjetruar dhe mungesë pajisjesh mjekësore. Aktualisht Shqipëria ka vetëm 1,2 mjekë për 1000 banorë, teksa mesatarja e vendeve në Zhvillimin është mbi 3 mjekë për 1000 banorë. Gjithashtu Shqipëria angazhon vetëm 3 për qind të burimeve publike për financimin e shëndetësisë, në një kohë q në vende të tjera në tranzicion dhe të zhvilluara ky tregues arrin nga 4-7% PBB-së.

Vendi ynë, jo vetëm që ka më pak mjekë, por ata janë dhe më të keqpaguarit.

Paga mesatare në aktivitetin e “Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale” në Shqipëri është 435 euro, është afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro.

Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e mjekëve dhe infermierëve, me synim ndalimin e eksodit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë); mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë). /Opinion.al

Pas