Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, të cilët kanë bllokuar disa nga rrugët e Tiranës.
Sipas policisë, gjatë përfundimit të protestës disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe po kundërshtojnë thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.
Policia e Shtetit bën thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, thuhet se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin dhe cënojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.