“Nuk jam jashtë Shqipërisë, por në një realitet të ri në vendin tonë, ku gjithnjë e më shumë po na shërbejnë të huaj, kjo si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore vendase”, shprehet gazetarja e Tv Klan, Dorina Halili.
Elizabet prej një viti është shpërngulur nga Uganda e Afrikës në Durrës për të punuar në turizëm.
Për t’u treguar sa më mikpritëse me klientët, ajo, ashtu si edhe kolegë të tjerë të saj, siç është Ambrozi, kanë mësuar edhe disa fjalë në shqip.
Të huajt i gjejmë në një pjesë të mirë të pozicioneve të punës në turizëm, nga ato të pastrimit, shërbimit, kuzhinës, deri në ato të kujdesit për veten.
“Unë punoj këtu prej një viti, herë si kamariere dhe herë si banakiere. Erdha në Shqipëri sepse doja të gjeja vende të reja për të punuar dhe isha kurioze edhe për mikpritjen këtu. Më pëlqen shumë Shqipëria, mendoj se do të qëndroj dhe 2 apo 3 vite për të punuar”, shprehet Elizabeth Tumwebaze.
“Zgjodha Shqipërinë sepse, përpara se të vija, kërkova në internet dhe lexova që është një vend turistik, me plazhe të bukura, pikërisht ajo që po kërkoja”, thotë Ambrose Nuwamanya.
“Unë jam nga Bali, nga Indonezia. Kam ardhur këtu para tre vitesh sepse pashë në internet që kishte vende të lira pune”, shton Mang Sri.
Mirëpo, të punosh në një vend me një kulturë krejt tjetër ka edhe sfida.
“Shqiptarët janë të mirë, por ka edhe pak konfuzion mes nesh, sepse ti i thua një gjë dhe ata kuptojnë diçka tjetër dhe mërziten, por me kohën jemi kuptuar”, thotë Ambrose Nuwamanya.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi thotë se një pjesë e mirë e bizneseve të mëdha zgjidhjen e kanë gjetur tek punësimi i të huajve, ndërsa bizneset e vogla mbeten në krizë.
“Hotelet e mëdha, resortet e kanë zgjidhur përmes kësaj forme, punonjës të huaj… Rroga shkon 400-600 euro neto, kostoja e tyre shkon deri në 800-1,000 euro… një biznes i vogël nuk e përballon këtë lloj kostoje.”
Heqja e problemit të sezonalitetit të turizmit, përmes pagesës së punonjësve edhe përtej muajve të verës, si dhe kthimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë, shihen si zgjidhje.
“Mendojmë se zgjidhja për Shqipërinë duhet të jetë kthimi i punonjësve shqiptarë që punojnë në rajon, kryesisht në Greqi, Italinë e jugut, ku pagat janë pak a shumë me pagat këtu…”, thotë Topuzi.
Sipas Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, çdo vit na mungojnë gati 15-20 mijë punonjës në turizëm, ndërkohë në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, AKPA, për periudhën janar-maj të këtij viti, janë shpallur rreth 6 mijë vende të lira pune në sektorin ekonomik “Akomodim dhe shërbim ushqimor.”
“Aktualisht ka rreth 2 mijë vende të lira. Ka rritje në krahasim me vjet. Kërkohen kamarierë, kuzhinierë, ndihmës kuzhinierë, banakierë, punonjës shërbimi, sanitarë”, thotë Gertiola Çepani, drejtoresha e Shërbimeve të Tregut të Punës në AKPA.
Rajonet Vlorë, Tiranë, Durrës dhe Lezhë rezultojnë me numrin më të lartë të vendeve të lira të punës./ Tv Klan