Është arratisur nga Rusia, gazetarja ruse Marina Ovsyannikova, e cila u bë e njohur pasi mbajti një slogan kundër luftës në Ukrainë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të një edicioni lajmesh në Moskë.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i saj Dimitry Zakhvatov këtë të hënë.
Avokati tha se 44-vjeçarja, e cila ishte në arrest shtëpie ishte larguar sëbashku me vajzën e saj 11-vjeçare, ndërsa shton se ndodhen nën mbrojtjen e një shteti evropian.
“Marina Ovsyannikova u detyrua të largohej nga Rusia dhe tani është e sigurt, nën mbrojtjen e një vendi evropian”, tha Zakhvatov.
Ish-redaktorja e programit kryesor të lajmeve të televizionit shtetëror rus, u bë e njohur në mbarë botën në muajin mars kur ndërpreu një transmetim të drejtpërdrejtë lajmesh duke mbajtur lart një poster ku shkruhej “Jo luftë, ndalo luftën, mos i beso propagandës, ata janë duke ju gënjyer”./Opinion.al