Bota

Protesta në Evropë kundër masave shtrënguese për COVID-19


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:44 - 20/11/21 |
Opi Nion

Dhjetëra mijëra qytetarë, shumë prej tyre mbështetës të së djathtës ekstreme, protestuan të shtunën në Vjenë kundër kufizimeve të koronavirusit një ditë pasi qeveria e Austrisë njoftoi një bllokim të ri dhe tha se vaksinat do të bëhen të detyrueshme vitin e ardhshëm.

Protesta kundër kufizimeve, të cilat synojnë frenimin e përhapjes së Covid-19, u zhvilluan të shtunën edhe në Zvicër, Kroaci, Itali, Irlandën Veriore dhe Holandë, një ditë pasi policia holandeze hapi zjarr ndaj protestuesve dhe shtatë persona u plagosën në trazirat që shpërthyen në Roterdam.

Protestuesit u mblodhën kundër kufizimeve të koronavirusit dhe kartave të detyrueshme për COVID-19 të kërkuara në shumë vende evropiane për të hyrë në restorante, tregje Krishtlindjesh ose ngjarje sportive, si edhe kundër vaksinimeve të detyrueshme.

Masat kufizuese të Austrisë do të hyjnë në fuqi të hënën dhe ato pasojnë trefishimin e vdekjeve mesatare ditore në javët e fundit dhe spitalet në shtetet e goditura rëndë kanë paralajmëruar se njësitë e kujdesit intensiv po arrijnë kapacitetin maksimal.

Masat do të zgjas të paktën 10 ditë, por mund të shkojë deri në 20, thanë zyrtarët. Njerëzit do të mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye të veçanta, përfshirë blerjen e artikujve ushqimorë, vizitën tek mjeku ose ushtrimet.

Përafërsisht 66% e popullsisë së Austrisë është plotësisht e vaksinuar kundër COVID-19, një nga normat më të ulëta në Evropën Perëndimore.

Ndërsa infeksionet ditore kanë kapur shifra rekord edhe pasi u vendos një bllokim për të pavaksinuarit këtë javë, qeveria tha të premten se do të sillte në fuqi masa të reja kufizueze të hënën dhe do ta bënte të detyrueshëm vaksinimin që nga 1 shkurti.

Me fishkëllima, duke u rënë borive dhe daulleve, turmat mbushën Sheshin e Heronjve përpara Hofburgut, ish-pallatit perandorak në qendër të Vjenës, në orët e hershme të pasdites, në njërën nga disa protestat në vend.

Shumë demonstrues valëvitnin flamuj austriak dhe mbanin pankarta me slogane si “jo vaksinimit”, “mjaft është mjaft” ose “poshtë diktatura fashiste”.

Turmat kishin arritur në rreth 35,000 vetë nga mesi i pasdites, sipas policisë, dhe protestuesit po marshonin në unazën e brendshme të Vjenës përpara se të ktheheshin në drejtim të Hofburgut. Një zëdhënës i policisë tha se kishte pasur më pak se 10 arrestime, për shkelje të kufizimeve të koronavirusit dhe përdorimit të simboleve naziste.

Midis atyre që protestuan ishin anëtarë të partive dhe grupeve të ekstremit të djathtë përfshirë Partinë e Lirisë, partinë MFG kundër vaksinës dhe Identitarianët.

Udhëheqësi i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, i cili së fundmi rezultoi pozitiv me COVID-19, u shfaq përmes videos, duke denoncuar ato që ai i quajti masa “totalitare” nga një qeveri “që beson se duhet të mendojë dhe të vendosë për ne”.

Zoti Schallenberg u kërkoi falje të gjithë njerëzve të vaksinuar të premten, duke thënë se nuk ishte e drejtë që ata të vuanin nën kufizimet e ripërtërira të bllokimit.

Në Zvicrën fqinje, 2,000 njerëz protestuan kundër një referendumi të ardhshëm lidhur me pyetjen nëse duhej të miratohej ligji i qeverisë për kufizimet për COVID-19, duke thënë se ishte diskriminues, njoftoi televizioni publik SRF.

Një ditë pas trazirave të Roterdamit, mijëra vetë u mblodhën në sheshin qendror Dam të Amsterdamit, pavarësisht se organizatorët e anuluan protestën. Ata ecën të qetë nëpër rrugë, të vëzhguar nga afër nga policia.

“Kjo politikë (masat kundër koronavirusit) shkakton shumë konflikte midis njerëzve,” tha për Associated Press Hugo Gietelink nga Amsterdami.

Disa qindra njerëz marshuan gjithashtu nëpër qytetin jugor holandez të Bredës.

Në Itali, 3,000 vetë dolën në Circus Maximus në kryeqytet, një fushë ku në kohët e lashta romakët organizonin argëtime popullore, për të protestuar kundër çertifikatave të gjelbëra të kërkuara në vendet e punës, restorante, kinema, teatro, ambiente sportive dhe palestra, si edhe në udhëtimet me tren, autobus ose traget në distanca të gjata.

“Njerëz si ne kurrë nuk dorëzohen,” shkruhej në një pankartë, me ngjyrat e kuqe, të bardhë dhe jeshile të flamurit italian. Pothuajse askush nuk mbante maskë.

Në Irlandën e Veriut, disa qindra njerëz që kundërshtonin pasaportat e vaksinave protestuan para bashkisë në Belfast, ku tregu i Krishtlindjeve i qytetit u hap të shtunën dhe ku kërkohej prova e vaksinimit ose një test negativ për COVID-19.

Qeveria e Irlandës së Veriut votoi këtë javë për të paraqitur çertifikatat e vaksinave për pranim në klubet e natës, bare dhe restorante duke filluar nga 13 dhjetori.

Disa protestues mbanin shenja që janë kritikuar gjerësisht si ofenduese, duke krahasuar kufizimet e koronavirusit me veprimet e Gjermanisë naziste.

Në Kroaci, mijëra vetë u mblodhën në kryeqytetin e Zagrebit, duke mbajtur flamuj, simbole nacionaliste dhe fetare, së bashku me pankarta kundër vaksinimit dhe atyre që ata i përshkruajnë si kufizime të lirive individuale.

Në Francë, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin dënoi protestat e dhunshme në ishullin Karaibe të Guadeloupe, një nga territoret e Francës. Zoti Darmanin tha se 29 persona ishin arrestuar nga policia gjatë natës. Autoritetet po dërgonin 200 policë të tjerë në ishull dhe të martën do të vendosin një ndalim qarkullim nga ora 18:00. deri në 5 të mëngjesit./ VOA

Pas