Opozita dhe mazhoranca ende nuk kanë një kandidat për presidentin e ri, ndonëse raundi i pari për zgjedhjen e tij do të mbahet më 16 maj.
Në një kohë që Komisioni i Rithemelimit ka ngritur grupin negociator brenda opozitës, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka bërë të qartë se propozim nga “Rithemelimi” për presidentin nuk do të pranohet.
“Kush propozohet nga Berisha nuk vlen. Nga bota e përtejme nuk pranojmë propozime”,-tha Balla.
Ndërkohë, Balla tha se uron që ditën e nesërme Grupi Parlamentar i PD-së të marrë një vendim e t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së mazhorancës për një takim për çështjen e kreut të shtetit.