Aktualitet

Politika në 180 gradë: Çfarë u tha pas arrestimit të Arben Frrokut



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 07:53 - 30/04/16 |
b.f

Pas nëntë muajsh arrati, Arben Frroku, u identifikua nga gjurmët e gishtave pasi jetonte me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”.

Lajmin e konfirmoi edhe policia shqiptare mbrëmjen e së enjtes arrestimin e tij, dy ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha, pati deklaruar se dispononte informacion se Frroku qe arrestuar në Holandë dhe se sipas tij, policia e shtetit nën porosinë e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, po pengonte procedurat e verifikimit.

A e dini që ka dy muaj, dhe i bëj thirrje kryeprokurorit të lidhet me prokurorin e Holandës, ka dy muaj që thuhet se është arrestuar Arben Frroku dhe Saje qorri nuk çon të dhënat,” deklaroi Berisha në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në televizionin News 24.

Lajmi që transmetohej për hërë të parë, kaloi pa asnjë koment zyrtar nga institucionet që kanë detyrim të merren me këtë gjë.

Në fakt, një ditë më pas, Opinion.al ju drejtua dy insitucioneve më të rëndësishme ligjore në vend dhe përgjigja që mori, edhe zyrtarisht, ishte se lajmi nuk është i vërtetë dhe se këtë, në të dyja institucionet nuk e konfirmonte askush. Dmth, që asnjë njoftim zyrtar nuk kishte ardhur nga Holanda ose ndonjë vend tjetër europian.

Ndryshe nga sa më sipër, Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të departamentit të sigurisë Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se autoritetet holandeze e kanë ndaluar Frrokun në 6 mars por qeverisë shqiptare iu deshën pothuaj dy muaj për të dërguar të dhënat e tij.

Sipas deklaratës së Alibeajt, janë të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e policisë së Brukselit, sigurisht me urdhrin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave”, tha Alibeaj.

Për Partinë Demokratike historia e mbështetjes qeveritare për Frrokun nis që me largimin e tij nga Shqipëria pas vendimit të Gjykatës së Faktit.

Pas deklaratës së Partisë Demokratike, menjëherë, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila e ka akuzuar opozitën se po përpiqet të përbaltë punën e policisë.

Në deklaratë thuhej se Ministria sqaron se autoritetet shqiptare sapo ka ardhur sinjali i parë për vendndodhjen e të dyshuarit Arben Frroku, brenda një kohe rekord ka dërguar në Holandë të dhënat krahasuese.

Në deklaratën për mediat, gjithashtu, bëhet me dije se Dosja “Frroku” dëshmon më së miri vullnetin e Policisë së Shtetit për të bërë detyrën me korrektesë absolute në përputhje me ligjin.

Ndërsa për deputetin Erion Braçe, fajin e ka Shërbimi Informativ Shtetëror, sepse, sipas tij, ky institucion informon më para Berishën se sa qeverinë.

“Arben Frroku është ndaluar në Holandë nën një identitet tjetër; ka qenë interesimi i palës shqiptare, dërgimi i të dhënave për të që disponohen nga policia shqiptare, përfshirë gjurmët e gishtave, ndodhur vetëm dje në një bashkëpunim mes autoriteteve, që ka zbuluar dhe vënë nën arrest të dënuarin për vrasje në Shqipëri”, shkruan Braçe.

Gjithashtu, ai nënvizoi me anë të një postimi në rrejtin social facebook se këtë informacion e ka vetëm Sali Berisha për shkak të lidhjeve të gjera të tij me krimin, por edhe sepse është kthyer në mikrofon për çdo bandë kriminale që kërkon të eliminojë rivalet edhe duke përdorur Sali Berishën, jo para arrestimeve, gjithnjë pas ndodhjes së një krimi.

Në vazhdën e këtij debati, nuk mund të mungonte ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Nëpërmjet një shënimi në rrejtin social facebook, Topalli shkruan se socialistët po fillojnë të hakmerren ndaj Berishës, pasi ai denoncoi Shullazin dhe Frrokun.

“Denoncoi Shullazin e përjashtuan 10 ditë, denoncoi Arben Frrokun i bëjnë kallezim penal! Hakmarrje primitive për Milin e Frrokun nga një i dëshpëruar!”, shkruan ajo.

Ndërkaq, zërat kundër dhe pro Arben Frrokut, me shumë siguri, kanë humbur në humnerën e heshtjes. Nga panorama e ngjarjes, të krijohet bindja, se një i vdekur, po merr edhe të tjerë persona pas vetes. Berishën po e akuzojnë me grupet rivale kriminale, që pas larjes së hesapeve, bëhet tellalli i tyre.

Nga ana tjetër, qeverinë e bëjne palë me krimin dhe fshehjen nën zë, deri-diku, të arrestimit dhe krijimin e kushteve në qershorin e vitit 2015 për t’u arratisur, pak para që gjykata të japë denimin me burg të përjetshëm.

Megjithatë, pas kësaj kronike, a mund të themi me vetveten se një mësim i madh i kësaj ngjarje që sapo mori fund, është se parimet janë kalimtare, ndërsa mafia gjithmonë mbetet…?!/Opinion.al/

 

 

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas