Policia e Sarandës ka arrestuar një 55-vjeçar i cili plagosi me thikë bashkëshorten e tij ditën e djeshme.
Uniformat blu bëjnë me dije se ai është arrestuar në zonën e quajtur “Kthesa e Kokomës”.
Ndërkohë 51-vjeçarja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
“Sarandë/Kapet dhe vihet në pranga brenda 24 orëve autori i dyshuar që plagosi me thikë bashkëshorten.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth orës 17:40, në lagjen nr. 4, Sarandë, ku dyshohet se shtetasi A. B., 55 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta në banesë, plagosi me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen M. B., 51 vjeçe, ju informojmë se:
Falë punës së pandërprerë dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit A. B., brenda 24 orëve nga momenti i ngjarjes, në vendin e quajtur “Kthesa e Kakomes”, në kushtet kur ishte bërë i pamundur largimi i tij, si rezultat i kontrolleve të shumta policore në terren.
Shtetasja e dëmtuar, M. B., ndodhet e shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale./Opinion.al