Bota

“Pakti SHBA-Rusi nuk e heq kërcënimin e garës së armatimit”


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 16:25 - 28/01/21 |
Opi Nion

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, veproi shpejt me qëllim të rinovimit të paktit me Rusinë që kufizon armët bërthamore. Por, problemet me kontrollin e armatimit nuk përfundojnë këtu.

Kina po modernizon arsenalin e saj të armëve bërthamore dhe deri më tani nuk ka treguar asnjë interes për të zhvilluar negociata të kufizimit të armatimit. Koreja e Veriut është afër pikës ku do të jetë në gjendje të kërcënojë Shtetet e Bashkuara me sulme raketore.

Rusia ka filluar vendosjen e armëve të reja, përfshirë ato me kapacitete bërthamore të krijuara për t’ju shmangur më së miri sistemit mbrojtës raketor amerikan. Irani ndërkohë shihet si kërcënimi më i madh raketor në Lindjen e Mesme, shkruan agjencia Asoshiated Press.

Të gjitha këto probleme janë përparësi e presidentit amerikan, Joe Biden, por administrata e tij veproi së pari në raport me Rusinë, duke reflektuar në urgjencën e zgjatjes së traktatit, edhe pse presidenti Biden synon të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit rus, Vladimir Putin si përgjigje ndaj disa çështjeve, përfshirë arrestimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe pretendimeve për angazhimin rus në një fushatë spiunazhi kibernetik ndaj qeverisë amerikane.

Traktati New Start që parasheh kufizimin e arsenalit bërthamor të Rusisë dhe SHBA-së do të skadonte javën e ardhshme.

Por, të mërkurën presidenti Biden dhe ai rus, Putin zhvilluan një telefonatë, pas së cilës u njoftua se ata kanë rënë dakord ta zgjasin për pesë vjet traktatin.

Shtëpia e Bardhë në njoftimin e saj foli për sfida më të gjera me Moskën. Deklatata tha se udhëheqësit “ranë gjithashtu dakord të shoshisin diskutimet për stabilitetin strategjik mbi një gamë të kontrollit të armëve dhe çështjeve të reja të sigurisë”.

Pakti New Start, ishte negociuar në kohën kur Biden shërbeu si nënpresident i Shteteve të Bashkuara. Pakti kufizon Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në 1,550 koka bërthamore të vendosura në armë strategjike si nëndetëse, aeroplanë bombardues dhe raketa balistike me bazë tokësore.

Pakti hyri në fuqi në shkurt të vitit 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të vitit 2021 nëse palët nuk bien dakord të zgjasin marrëveshjen për deri në pesë vjet.

Të dyja dhomat e parlamentit rus kanë votuar për të zgjatur paktin. Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror, Putin tha se zgjatja e paktit është “hap në drejtim të duhur” por ai gjithashtu paralajmëroi për rritjen e rivaliteteve globale dhe kërcënimet për konflikte të reja.

Zgjatja e paktit nuk kërkon miratim nga Kongresi i SHBA-së por kjo mund të bëhet përmes një shkëmbimi të notave diplomatike.

Atëherë pyetja do të jetë: Si mund të vazhdojë kontrolli ndërkombëtar i armëve, duke pasur parasysh situatën e tensionuar në marrëdhëniet SHBA-Rusi, ngritjen e Kinës dhe burimet e tjera të pasigurisë?

Kontrolli i armëve nuk mund të adresohet më vetëm nga Moska dhe Uashingtoni, arsenalet bërthamore të të cilave ishin kryesisht të vetmet që u llogaritën gjatë Luftës së Ftohtë. Në atë periudhë, SHBA-ja e shikonte forcën bërthamore relativisht të vogël të Kinës më shumë si një nëngrup të Rusisë sesa si një kërcënim kryesor. Armët hapësinore dhe kibernetike ishin probleme të largëta, por tani janë në ballë.

“Shikuar një pamje të gjerë, pyetja qëndron në faktin nëse ajo që ne po shohim me zgjatjen e paktit New Start është një frymëmarrje e fundit e futur në trupin e vdekur të kontrollit të armëve, ose nëse ky është me të vërtetë një fillim i një ri-gjallërimi të përpjekjeve të kontrollit të armëve”, thotë Mark Bell, një profesor në Universitetin e Minesotës që studion çështjet e armëve bërthamore.

“Peisazhi i plotë i kësaj nuk është veçanërisht optimist për një përparim në këtë drejtim”, thotë ai.

Shpresa midis mbrojtësve të kontrollit të armëve është se vendimi i Bidenit për të pranuar ofertën e një zgjatje pesë-vjeçare të paktit do të krijojë bazën për bisedime më të gjera mbi hapat për të zvogëluar rrezikun e luftës midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Biden e dinte që zgjatja e tij do të mirëpritet nga partnerët e Amerikës në NATO, të cilët kishin kundërshtuar tërheqjen e administratës së ish-presidentit, Donald Trump nga marrëveshjet e tjera të kontrollit të armëve.

“Unë nuk e shoh zgjatjen e traktatit si fundin, por fillimin e një përpjekje për të forcuar më tej kontrollin ndërkombëtar të armëve bërthamore”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg javën e kaluar.

“Pra, marrëveshjet që përfshijnë më shumë aspekte të armatimit dhe gjithashtu përfshijnë më shumë vende, si Kina, duhet të jetë në rend të ditës në të ardhmen”, tha ai.

Por, Kina nuk ka qenë e gatshme dhe ka pak prova që Moska është e gatshme të adresojë atë që disa e konsiderojnë si një disbalanc shqetësues në forcat bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë – armët jo strategjike bërthamore të Moskës, siç janë raketat bërthamore të nisura nga deti dhe ajri. Pakti mes dy vendeve nuk i kufizon këto.

Rusët shohin një problem tjetër – sistemin e pakufizuar të mbrojtjes raketore amerikane dhe sistemet tjera të SHBA-së të cilat ata ata i shohin si të rrezikshme dhe destabilizuese.

Robert Soofer, i cili ishte zyrtari më i lartë i politikës bërthamore në Pentagon gjatë administratës së ish presidentit Trump, thotë se Biden shpenzoi mundësinë e negociatave kur ai ra dakord për një zgjatje pesë-vjeçare të paktit pa e obliguar Moskën për angazhime në çështje të ndërlidhura me armatimin.

“Nuk ka asnjë arsye që ata të negociojnë më për pesë vjet”, tha Soofer.

“Ata morën atë që deshën”, shtoi ai.

Nga këndvështrimi rus, shtimi i pesë viteve jetë të paktit ofron kohë për t’u marrë me atë që ambasadori i saj në Uashington, Anatoly Antonov, e ka përshkruar si një “krizë serioze” në kontrollin e armëve.

Në një deklaratë më 12 janar, Antonov përcaktoi përparësitë e kontrollit të armëve të Moskës, duke filluar me mbrojtjen raketore të SHBA-së , të cilën rusët e shohin si një përpjekje për të minuar vlerën strategjike të arsenalit të tyre bërthamor.

Disa kritikë thonë se mbrojtja raketore duhet të jetë e hapur për negociata.

“Planet e pakufizuara të mbrojtjes raketore amerikane kanë inkurajuar Rusinë të zhvillojë lloje të shumta të reja të opsioneve bërthamore për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe e ka nxitur Kinën të zgjerojë dhe përmirësojë arsenalin e saj bërthamor”, tha Laura Grego, bashkë-drejtuese e programit të sigurisë globale në Union e Shkencëtarëve të Shqetësuar.

“Kjo dinamikë duhet të ndryshojë sepse është një pengesë për arritjen e reduktimeve domethënëse të armëve bërthamore”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar të pranojnë çdo kufizim në mbrojtjen e saj raketore. SHBA-ja thotë se ajo ka për qëllim mbrojtjen nga sulmet me raketa me distancë të gjatë nga Koreja e Veriut – dhe nuk shërben si një mbrojtje kundër Rusisë.

Soofer thotë se ai sheh pak perspektivë për një lëvizje të shpejtë në atë dhe mosmarrëveshjet e tjera të armëve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë.

“Ky do të jetë fillimi i një bisedimi shumë të gjatë”, tha ai./ REL

Pas