Kuvendi votoi me 29 vota pro, 69 abstenim dhe 4 kundër për kandidaturën e Florian Bjankut për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çështja kthehet në nënkomision për një tjetër kandidaturë për anëtar të KLP.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla komunikoi se çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një kandidaturë të re.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 101 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit për asistencën e Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Po ashtu me 101 vota pro, u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit”.
Kuvendi miratoi me 99 vota projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të përfaqësuar nga ministria e Punëve të Brendshme, për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin”.