Presidenti Bujar Nishani ka kërkuar në mënyrë institucionale një hetim të pavarur e të paanshëm ndërkombëtar të ndërtimit në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, në respekt dhe zbatim të Konventës së Aarhusit, nënshkruese e së cilës është edhe vendi ynë.
Kreu i shtetit u tha aktivistëve të shoqërisë civile se e ka ndërrmarrë këtë nismë pas shqetësimeve të dhe protestave të tyre kundër ndërhyrjes në Parkun e Liqenit Artificial për ndërtimin e këndit të lojrave.
Një muaj më parë, Presidenti Nishani u solidarizua me përfaqësuesit e shoqërisë civile duke e cilësuar vandalizëm betonizimin e parkut të liqenit.
Edhe në takimin e radhës me aktivistët kreu i shtetit shprehu gatishmërinë personale dhe institucionale se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve, pa dallim dhe në mënyrë të paanshme.
Me shqetësim përfaqësuesit e shoqërisë civile e njohën Presidentin Nishani në mënyrë të veçantë për “betonizimin e lirisë, përveç betonizimit të parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, si dhe për “fjalorin jashtë çdo etike që përdoret nga njerëzit e veshur me pushtet duke goditur përditë qytetarinë shqiptare”.
Ata i kërkuan Kreut të Shtetit si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, të përcjellë zërin dhe shqetësimet e tyre pranë institucioneve më të larta të Republikës./Klan