Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për inceneratorët ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit Arben Ahmetajt, ish-ministër i Financave, Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe dy shtetasve të tjerë, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Kallëzimi është bërë për veprat penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, si dhe “Krijimin e grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa kërkohet pezullimi i ushtrimit të detyrës publike ndaj këtyre personave.
Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku është shprehur se e gjithë qeveria dhe bashkia është kthyer në funksion të këtij inceneratori.
“Edi Rama me Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, e shumëzuan me zero investimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe filluan incenerimin e mbetjeve sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i vidhnin qytetarëve 430 milionë euro për Tiranën. E gjitha qeveria dhe bashkia është kthyer në funksion të këtij inceneratori. Kanë krijuar një biznes me persona të identifikuar për pastrim parash në Itali të lidhur me Ndrangheta-n. Ajo që është absurdi më i madh, Bashkia e Tiranës ka rritur tarifat me 30% për t’i krijuar punë, me atë buxhet që është me buxhetin e shtetit”.