Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj është e ftuar për herë të parë në një intervistë në programin “Rudina” në Tv Klan. Tema e parë ku ajo u ndal lidhet me aktualitetin, mishin e pulës me salmonelë që është një nga temat më shqetësuese.
Një sasi prej 7.8 ton mish pule e importuar nga Brazili ka rezultuar e kontaminuar me salmonelë, duke krijuar shqetësime serioze për sigurinë ushqimore. Autoritetet, përmes AKU-së, kanë bllokuar 5.2 ton nga importuesi, ndërsa 2.6 ton tashmë janë shpërndarë në treg në 10 qarqe të Shqipërisë.
Denaj u shpreh se masa e parë e realizuar ishte gjurmueshmëria e produktit për ta tërhequr më pas nga tregu. Ajo tha se në asnjë moment nuk do të reshtë informimi për të siguruar qetësinë dhe informimin publik.
Ministja shtoi se raste të tilla i vendosin institucionet para përgjegjësisë për të ndryshuar organizimin e brendshëm dhe përmirësuar sistemet e gjurmueshmërisë dhe kontrollit.
Anila Denaj: Sigurisht ushqimi është i rëndësishëm të jetë i sigurt dhe të gjithë institucionet e garantojnë këtë siguri. Ministria që unë përfaqësoj dhe institucionet kanë në tagrin e tij juridik dhe përgjatë gjithë viteve janë përpjekur për ta siguruar këtë të plotë. Salmonela dhe shumë sëmundje të tjera të cilat vijnë nga bimët dhe nga kafshët, në vitet e fundit, në Evropë dhe në gjithë botën janë rritur. Unë dua të them vetëm një shifër që vetëm vitin e shkuar në Evropë, rastet e salmonelës ishin 77 mijë, krahasuar me një vit më parë, 65 mijë, pra është një situatë që ndeshet kudo dhe të gjithë marrin masa. Masa që është realizuar në mbrojtje të të gjithë sistemit është raportimi i gjithë institucioneve të Evropës në një sistem ku ne menjëherë marrim informacion.
Në rastin konkret, baza e riskut që vlerësohet në drejtorinë e AKU-së, bëri që me marrjen e një mostre dhe një analize, të evidentojë te një ngarkesë dhe në mënyrë të menjëhershme u realizua gjurmueshmëria, por u gjendëm përpara disa vështirësive dhe për këtë arsye e referuam rastin në prokurori. Në asnjë mënyrë nuk reshtim të japim informacion sepse informacioni duhet të jetë për publikun një instrument qetësie dhe sigurie, por në raport me sasitë të cilat spekulohen në media, unë do të doja të flisnin organet të cilat e kanë këtë proces në gjurmueshmëri dhe këtu janë më shumë sesa një, më shumë sesa Ministria e Bujqësisë, por njëkohësisht të garantojë që pjesa e gjurmueshmërisë është edhe për të tërhequr gjithë produktin nga tregu dhe për të mos lejuar konsumin e tij.
Masat parandaluese përtej të tjerave, janë edhe në përdorimin e ushqimit të sigurt në konsum ku lexohet etiketa, ku vleftësohet blerja e produktit të sigurt në markete, por raste të tilla të ngjashme na vënë përpara përgjegjësisë për të ndryshuar disa organizime të brendshme dhe unë dua të theksoj që një nga organizimet e brendshme është një rritje e ndërgjegjësimit të inspektoriatit në rastin konkret të AKU-së, por jo vetëm, në reagim të menjëhershëm që në momentin e parë dhe riorganizimi i inspektoriateve që është në frymë të një ligji të ri të aprovuar në shtator të vitit të kaluar në parlamentin e Shqipërisë, besoj që të gjitha sistemet e gjurmueshmërisë dhe kontrollit do t’i përmirësojmë në vijim. Ka debate pafund për këtë çështje, besoj që kërkon më shumë kohë për ta shpjeguar, AKU dhe shumë institucione të inspektoriatit, tani që do të bashkohen, krijojnë punën e tyre në bazë të sistemeve, kontrollit dhe gjurmueshmërisë, rrisin në mënyrë të padiskutueshme dhe përafrojnë më shumë këto metodika me ato të Bashkimit Europian./tvklan.al