Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim në selinë e Partisë së Lirisë. Ka qenë vetë Meta që ka bërë të ditur lajmin në një status në “Facebook”.
Ai thotë se ka diskutuar me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e Partisë së Lirisë me SHBA, përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, si dhe reformat prioritare për integrimin e vendit tonë në BE.
“Sot mirëprita në selinë e Partisë së Lirisë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim. Ishte kënaqësi të diskutonim hapur dhe në mënyrë konstruktive mbi bashkëpunimin e Partisë së Lirisë me SHBA, në interes të forcimit dhe intensifikimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA, përmbushjes të detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s, si dhe reformave prioritare të përshpejtimit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE”-shkruan Meta.