Skënder Gjinushi ka reaguar në lidhje me refuzimin e Presidentit Meta për ta konfirmuar atë në detyrë.
Kryetari i Zgjedhur i Akademisë së Shkencave ka thënë për mediat se Presidenti nuk është komision hetimor që të mos dekretojë zgjedhjen e tij.
“Meta vazhdon të nxjerrë dekrete nul”, tha Gjinushi, duke shtuar se “Meta nëpërmjet dekreteve nul vazhdon të anulojë zgjedhje”.
Sipas tij, presidenti nuk ka të drejtë të refuzojë dekretimin e kreut të Akademisë së Shkencave.
Në arsyetimin e tij, presidenti i referohet nenit 57, pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe parashikimet e neneve 3, 6 paragrafi 6, nenit 6/1, pika 1 germa “c”, 11 të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” për të argumentuar se procesi zgjedhor me anë të cilit u zgjodh Gjinushi paraqet problematika ligjore, duke qenë se në të njejtën kohë ai rezulton Kryetar i Partisë Socialdemokrate.
Skënder Gjinushi u zgjodh kryetari i ri i Akademisë së Shkencave me 35 vota në një garë pa rivalë ku në total votuan 43 akademikë.
Akademiku Artan Fuga dhe Partia Demokratike i cilësuan zgjedhjet farsë. /Opinion.al