Aktualitet

Mbyllet protesta, Basha: Fundi i Ramës është vulosur nga populli


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:00 - 13/04/19 |
Geljano Fataj

Ora 22: 10 Lulzim Basha:Mirënjohjen më të thellë për ju, qytetare e qytetarë të Tiranës e të të gjithë Shqipërisë për këtë protestë të pashoqe në historinë e pluralizmit, në historinë e Shqipërisë moderne. Mirënjohje për këtë qëndresë monumentale për orë të tëra, në këtë natë, në këtë muzg të tiranisë e të bandës kriminale në pushtet dhe në këtë lindje të lirisë së re, demokracisë evropiane për çdo shqiptare e çdo shqiptar. Vëllezër e motra, ju morët me vete dhe bashkuar në këtë protestë, më të madhen e historisë tonë kombëtare, dritën e shpirtit tuaj, dhe e ndriçuar kësisoj rrugën, shtegun, horizontin e shpresës, i cili do të kalojë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do t’i rikthejnë vendit parlamentin legjitim dhe qeverinë legjitime që votojnë qytetarët e lirë shqiptarë.
Por vëllezër dhe motra, sot, të nëntën protestë në 8 javë, të tretën kombëtare, ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vëllezër e motra, një betejë e jashtëzakonshme është zhvilluar sot. Ata u munduan ta shpërndanin këtë protestë akoma pa filluar, me lajme të rreme, me terror, me shoqërime dhe mbi të gjitha me makinerinë e poshtër të propagandës, që punon natë e ditë e që ushqehet me paratë që u grabiten qytetarëve shqiptarë, ushqehet me paratë e bukës së fëmijëve të shqiptarëve. Nuk ia doli dot. Dhe megjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot, me 13 prill 2019 protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar dhe të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore.
Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe të oligarkëve, armiqve publikë të popullit shqiptar, sot u sollën edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj fëmijëve e të rinjve, ndaj qytetarëve protestues. E pra, le ta dijë, se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran.
Tik-tak, tik-tak, tik-tak…
Por përgjigjja e sotme, përmes bashkimit më të madh që ndonjëherë shqiptarët kanë bërë dhe bashkimit më fisnik, për një kauzë jetike, si liria, demokracia dhe drejtësia e vërtetë; ky bashkim i madh dhe ky leksion i madh do të vazhdojë ditë e natë. Sjelljes prej pushtuesi ndaj popullit të tij, Edi Rama dhe klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar çdo ditë, çdo natë, kudo ku të ndodhen shqiptarët e lirë, duke e trajtuar si pushtuesin e institucioneve demokratike që është.
Ndaj, le ta vazhdojmë këtë betejë, sepse jemi në rrugën e sigurtë të çlirimit të vendit nga klika kriminale. Jemi sot shumica morale, shumica politike dhe shumica fizike e shqiptarëve të bashkuar “për Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
Nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me zotimin e madh për të ndërtuar mbi gërmadhat e diktaturës së krimit dhe tiranisë së korrupsionit të Edi Ramës, vlerat e vërteta të Demokracisë. Të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe të respektit për lirinë, pronën, shëndetin, jetën, mirëqenien e çdo shqiptari dhe çdo shqiptarje, pavarësisht prej bindjeve politike, origjinës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Ne do të bëjmë të mundur që çdo sakrificë e këtyre betejave, çdo sakrificë e gjithësecilit secilit prej jush, e çdo qytetari shqiptar, të kujtohet me krenari dhe mirënjohje të thellë si themeli i shqipërisë së vërtetë europiane.
Ndaj le ti marrim me vete gjithçka që përjetuam sot, për ta rritur dhe forcuar vendosmërinë dhe përgatitjen tonë për ti shkuar betejës deri në fund dhe për tu treguar sot fëmijëve tanë, e nesër brezave që do të vijnë; se natën kur vendosej fati i Shqipërisë, nëse do të zhytej në errësirën e krimit dhe të korrupsionit për shkak të indiferencës, për shkak të korrupsionit të mediave, për shkak të rënies së shoqërisë civile, për shkak të një grushti oligarkësh armiq të popullit që grabitën gjithçka, dhe se do të ja dilte po ajo natë ti ulte kokën popullit, apo nëse do të ishte nata e fundit e tiranisë. Ne nuk e ulëm kokën, ne nuk heshtëm, nuk pushuam, ne u bashkuam, protestuam dhe fituam. Le të kumbojë ky mesazh besimi total në fitoren e betejës tonë dhe të kauzës tonë. Le të bëhemi gati për çlirimin e Shqipërisë në çdo cep të saj nga klika kriminale e Edi Ramës.
Sovrani foli sot, sovrani vendosi se Shqipëria e shumicës, shumicës së përjashtuar, shumicës së vjedhur, shumicës së torturuar, shumicës së gjobitur, shumicës së burgosur, të poshtëruar, të shantazhuar, do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet, të njerëzve me krenari, të njerëzve që do të ndërtojnë këtu jetën e tyre, përmes vendeve të punës me rroga e kushte dinjitoze. Dhe mbi të gjitha me liri, me dinjitet, me dashuri për njëri-tjetrin, këtu në Shqipërinë tonë dhe jo në emigracion. Ndërsa Shqipëria e vogël e kriminelëve, e oligarkëve, e Edi Ramës dhe e politikanëve të korruptuar, do të varroset në arkivat e zeza të kombit.
Zoti ju bekoftë ju!

Ora 22: 00-Lulzim Basha tërheq protestuesit drejt selisë së PD-së.

Ora 21: 45-Ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar dhe protestuesit herë pas here afrohen në hyrje të Parlamentit, ku i është vënë edhe zjarri një automjeti, policia u bën thirrje me altoparlant protestuesve që të largohen. “Do të përdoret çdo mjet që lejon ligji”, dëgjohen thirrjet e policisë.

Ora 21: 30-Forcat zjarrfikëse nuk janë lejuar nga protestuesit të shuajnë flakët që kanë shpërthyer në një makinë të parkuar përpara Parlamentit.

Makina ka shpërthyer, ndërsa FNSH ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit. Po ashtu mësohet se makina i përket një efektiveje të policisë, të komisariatit nr 1 në Tiranë.

 

Ora 21: 15- Protestuesit kanë përdorur dhe shishe me molotov, në derën kryesore të Parlamentit. Tani janë larguar efektivët e policisë dhe situatën në dorë e kanë marrë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Më herë policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

I vihet zjarri makinës së parkuar
I vihet zjarri makinës së parkuar

 

Ora 20: 15- U mësuat me gazin lotsjellës”! Lulzim Basha nga protesta para Parlamentit ka bërë batuta me gazetarët, pasi policia përdorin gazi lotsjellës.

Ai u pa me shami në duar duke fshirë sytë, po ashtu dhe ish-kryeministri Sali Berisha. “Protesta do vazhdojë deri sa të duan qytetarët”, tha Basha.

“Rrugë tjetër përveç largimit të Edi Ramës nuk ka dhe nuk ka për të patur, kryengritja do të fitojë. Rama do të largohet”, tha kryedemokrati, ndërsa policia hodhi sërish gaz lotsjellës.

Ora 19: 50- Policia përdor gaz lotsjellës.

Ora 19: 45-Reshjet e dendura të shiut nuk i kanë ndaluar protestuesit të mblidhen përpara Parlamentit. Një pjesë e mirë e protestuesve është përplasur me policinë.

LIVE

LIVE – Ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një qeveri të çliruar nga krimi, për zgjedhje të lira, rend dhe siguri. Klika e krimit e bërë njësh me qeverinë që kemi përballë do të shembet nga themelet! #ShqiperiaSiEuropa

Posted by Lulzim Basha on Saturday, 13 April 2019

Ora 19: 30-Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka iu bëri thirrje protestuesve të ndjekin liderin e opozitës Lulzim Basha në marshim drejt Parlamentit.

Ora 19: 05- Sa mbaroi fjalën kryetari i PD-së, një grup i protestuesve është përplasur me policinë. Pas një përleshje të shkurtër me forcat e Policisë, disa protestues kanë arritur të çajnë kordonin rrethues dhe janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë, ndërsa të tjerë protestues përpiqen të rrëzojnë gardhin metalik që rrethon godinën.

Kapsolla të shumta dhe lëndë tymuese janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë ndërkohë që po fliste kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke sjellë edhe reagimin e forcave të policisë, të cilët kanë vendosur edhe maskat kundërgaz.

Përmes thirrjeve me altoparlant, policia i është drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës: “Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarrë, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë. Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë.Merrni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë”.

Ora 19: 00- Nuk ka e as do të ketë as pazare politike. Për një aspiratë evropiane, kushti i parë është qeveria tranzitore. Ndaj Rama ik! Rama ik një orë e më parë, ky është diktati i një sovrani të bashkuar”, theksoi më tej Basha në fjalën e tij përpara Kryeministrisë, ndërsa menjëherë nisi “bershëri” me mjete piroteknike në drejtim të policisë.

Ora 18: 45- Lulzim Basha: Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte. Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë krimit dhe korrupsionit. Bashkë me këtë vërshim të paparë e padëgjuar, me këtë bashkim zemrash mendjesh, burrash e grash. Po bie dhe muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet, për bandën e korrupsionit, e krimeve ndaj shqiptarëve. 

Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, padrejtësive e krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizorë nuk kanë parë shqiptarët një pakicë më të urryer. Nuk kanë parë njeri më barbar ndaj popullit të tij. Njeriu që hyri në histori që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, që t’ju prishë shtëpitë dhe veten e tij. Ky është muzgu u bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika dhe as barbaria e horrave dhe as gazi lotsjellës. Nuk na përçan dot, populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e gegëve dhe toskëve, e myslimanëve dhe të krishterëve që i thotë Ramës dhe bandës së tij: shporru!

.

Ora 18: 35-Liderët e opozitës i janë bashkuar protestës. Lulzim Basha ka dalë nga selia e PD-së, ndërsa Monika Kryemadhi nga selia e LSI. Po ashtu prezent në protestë është dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ora 18: 25-Fermerët i janë bashkuar protestës së opozitës. Përpara kryeministrisë ata kanë gjuajtur me domate në drejtim të kryeministrisë, ndërsa kanë derdhur dhe bidonat me qumësht. Vendimi i qeverisë për Tvsh-në detyron fermerët të shesin nën kosto.

 

Ora 18: 05- Pa mbërritur ende liderët e opozitës, protestuesit e parë të grumbulluar kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë

 

Ora 17: 50-Nis mbledhja e protestuesve përpara Kryeministrisë. Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.

Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve. Ashtu si në protestën e 16 Shkurtit, kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa ka nuk efektiveve femra në këtë radhë.

Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë. Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.

***                   ****

Opozita proteston sot për herë të tretë përpara Kryeministrisë në një tubim kombëtar, pas vendimit për djegien e mandateve. Protesta nis në orën 18:00, por organizatorët nuk kanë dhënë një afat për përfundimin e saj. Kjo është hera e parë që opozita do të protestojë në mbrëmje. Forcat e policisë kanë nisur marrjen e masave për protestën. Siç tregon kjo video e Opinion.al forca të shumta policie kanë rrethuar Kryeministrinë.

Ndërkohë nga rrethet, autobusë, por edhe mjete private, janë vënë në dispozicion të protestuesve, për t’i transportuar drejt Tiranës. Kështu nga Mati, zyrtarë të degës së PD-së raportojnë se janë nisur rreth 1500 persona, në dispozicion të të cilëve janë vënë disa autobusë dhe dhjetëra makina private.

Ndërkohë policia ka ngritur pika kontrolli që prej ditës së djeshme në dalje të qytetit të Burrelit dhe në Skuraj. Ndërsa nga Dibra janë nisur rreth 2000 persona , Bulqiza 900. Gjithsej nga qarku Dibër janë rreth 4500 persona./Opinion.al

Pas