Një 43-vjeçar është vënë në pranga pasi është kapur nga policia me 2 kilogramë heroinë dhe dy kallashnikov.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe armëve të zjarrit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dyshohej se po transportonte lëndë narkotike dhe armë zjarri, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “AKSI””, njofton policia.
Autoritetet njoftojnë se gjatë kontrollit në automjetin tip “Renault” me drejtues shtetasin G. D., në bagazhin e modifikuar të këtij mjeti janë gjetur 2 pako me heroinë me peshë 2 kg dhe 2 kallashnikovë.
43-vjeçari G. D., banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./ Opinion.al