Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është takuar me gratë në Ersekë. Ajo tha se prej stuhisë pati vështirësi në ardhjen deri në Ersekë, por siguroi se LSI është partia që e mban fjalën dhe s’ka borë, stuhi apo shi që e ndal.
Ajo denoncoi se ka ende familje në Floq të Korçës që kanë mbetur në çadra nga tërmeti i 2 viteve më parë, ndërsa akuzoi qeveruinë se nuk ndihmon qytetarët.
Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:
Një nga gjërat tona më të mira është mikpritja. Edhe pse Kolonja është rrudhur për shkak të largimit dhe të shpopullimit të madh të të gjithë zonës, në mendjen tonë prapë ngelet si një nga pikat më të rëndësishme të vendit.
Unë sot doja të isha e pranishme në Kolonjë për të prezantuar jo vetëm me ju, por edhe me të gjithë opinionin publik, Doktor Erginin, i cili do të jetë përfaqësuesi ynë në gjithë rrethin e Kolonjës, edhe në listën e deputetëve të LSI-së në Qarkun e Korçës. Në këtë qark ne kemi dy doktorë, doktor Gentin dhe doktor Erginin, sepse ashtu sikurse sot kemi nevojë për mjekë dhe doktorë që shërojnë njerëzit, kemi nevojë që doktorët të shërojnë edhe politikën. Të shërojnë politikën që të mos kemi më ato premtimet fasadë të shëndetësisë falas dhe që është kthyer në shëndetësinë më të shtrenjtë dhe atë që ne e shohim dhe e ndiejmë çdo ditë, sikurse thotë edhe doktor Ergini, që të sëmurët me Covid-19 sot kanë faturën më të shtrenjtë, sikur po bëjnë një universitet dhe jo sikur po shërohen nga një sëmundje që në fakt duhet të kishte në vëmendje goxha të madhe.
Unë doktor dua t’ju falënderoj shumë për përkushtimin, por mbi të gjitha dua të falënderoj nëpërmjet jush të gjitha strukturat e LSI-së që kanë bërë të mundur që në çdo moment ne të mos shkëputemi nga Kolonja, edhe pse largësia është goxha e madhe dhe infrastruktura prej tetë vitesh ka ngelur e pazhvilluar, ju na keni bërë të ndihemi shumë afër. Nuk kam për ta harruar kurrë prezencën tuaj në të gjitha protestat e opozitës, 19 të tilla që kanë qenë që prej djegies së mandateve, gjë që unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Por, do doja ta shikoja lidhjen tonë përtej politikës, përtej protestave, për të ndryshuar jetën.
Kolonja është një nga zonat që ka histori, ka kulturë, ka një trashëgimi kulturore dhe historike për popullin shqiptar, dhe ne faktikisht jemi rritur me literaturën, jemi rritur me tekstet shkollore për rilindësit, për gjuhën shqipe, për historinë, për betejën e madhe që është bërë për gjuhën shqipe dhe mbi të gjitha për identitetin tonë kombëtar. Dhe sot një nga problemet më të mëdha që ne kemi është që, gjakun e gjithë atyre njerëzve që kanë dhënë jetën për identitetin tonë kombëtar, ne po e zhbëjmë duke u shpopulluar, duke larguar të rinjtë dhe të rejat tanë nga vendi.
Sot është shumë e vështirë të gjesh të rinj dhe të reja në Kolonjë, por unë jam e bindur që më 25 prill me angazhimin tuaj, por jo vetëm, por duke sjellë edhe një shpresë të re, edhe një mundësi të ri për zhvillimin e zonës, për të krijuar një zhvillim të jashtëzakonshëm për këtë zonë të mrekullueshme për pyjet, për bukuritë natyrore, por edhe për mençurinë njerëzore, sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz të mençur, kemi nevojë për njerëz që kanë botë, kanë shpirt e mbi të gjitha kanë dashuri brenda tyre. Dhe sot si Dita e Shën Valentinit është një arsye më shumë për të folur akoma më shumë për dashurinë, sepse dashuria njerëzore dhe ajo për familjen është e nevojshme.
Teksa po vinim rrugës për këtu në Ersekë, e ndërsa kishim problemin sa të kalonim këto pjesët e vështira të rrugës, sepse kishte stuhi dëbore, po diskutonim dhe lindi pyetja se si është e mundur që ky Kryeministri ynë në ikje, ditët që janë me diell, e kemi nga 7 orë ne televizion si një shoë-man, sikur të jetë ‘Domenica In’, që shikonim në kohët tona, e që dilnin në orën 10 të paradites dhe mbaronin në orën 7 të pasdites, ndërsa kur ka përmbytje, kur ka stuhi dëbore, kur ka rrugë të bllokuara, kur ka pandemi, ky njeri nuk del, ky njeri nuk flet. Përkundrazi, zhduket.
Kur po vinim për këtu, ne kaluam me Endritin në Floq dhe një nga vajzat tona me të cilat ne ishim në Korçë na thanë që ka njerëz që akoma jetojnë në çadra, që nga koha e tërmetit. E pra, ne nuk e dëgjojmë këtë njeri të dalë e të flasë për problemet e njerëzve, përkundrazi ky njeri mundohet që të ngrejë pushtetin e tij mbi fatkeqësinë e njerëzve tanë. Ndaj unë mendoj që kësaj gjëje ne duhet ti japim fund.
Në qoftë se ne nuk kemi një qeveri që iu gjendet pranë njerëzve, nëse ne nuk kemi një kryeministër, një drejtues që u gjendet pranë njerëzve, mban fjalën dhe premtimet, atëherë për çfarë na duhet më? Ky duhet ti japë fund teatrit të tij, që për mua tashmë është bërë de mode. Ne na duhet të komunikojmë dhe të jemi në kontakt me të gjithë njerëzit tanë, pasi një nga problemet tona kryesore është shkëputja. Shkëputja e politikës nga njerëzit, shkëputja e politikës nga gratë dhe vajzat, nga të rinjtë dhe të rejat. Prandaj, edhe shpërngulja e fëmijëve tanë është çdo ditë e më shumë edhe më prezentë.
Në ishim në Korçë me të rinjtë kafen e mëngjesit dhe pamë një energji dhe një entuziazëm shumë të madh. Edhe kur erdhëm rrugës, takuam njerëz, takuam miq të vjetër, që unë i kam pasur edhe në FRESSH. Pasi besoj e mbani mend që unë dhe ish-kryetari i ndjerë i Bashkisë, Arben Malo, kemi qenë themelues të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar dhe kemi memorie të mrekullueshme, jo vetëm në politikë, por janë memorie të cilat kanë pasur të bëjnë me përkushtimin e një lideri, një drejtuesi partie ndaj komunitetit, ndaj qytetarëve dhe njerëzve të tij.
Unë mendoj që ne duhet ta kthejmë atë model. Kolonja ka nevojë për modelin e Ben Malos, por ka nevojë edhe për modele të tjera akoma më të mira, edhe si doktor Ergini, i cili kujdeset për njerëzit, edhe pse sot ja kanë nevojën pak më shumë, sepse është pneumolog. Ne sot kemi nevojë për përkujdesje ndaj njerëzve dhe kërkojmë që e gjithë politika shqiptare të ndryshojë sjelljen e saj, që të jetë në shërbim të njerëzve dhe të kujdeset për ta.
LSI është një parti që e mban fjalën e saj dhe nuk ka as shi, as bori e as stuhi që na ndal, e aq më tepër presionet e pushtetarëve këtu.
Vajza e madhe e Arben Malos është inxhiniere elektronike, është e jashtëzakonshme në Angli, me rezultate të shkëlqyera dhe do të ishte një mrekulli nëse ajo do të kthehej dhe do të punonte në Shqipëri. Ne prandaj do të punojmë fort që të kthejmë gjenet tona, të mos na ikin nëpër botë. Ti kthejmë fëmijët tanë të shkollohen këtu, të punojnë këtu, të ushtrojnë këtu profesionin e tyre me të njëjtën pagë me të cilën punojnë dhe jashtë vendit. Dhe ne e kemi këtë shans.
Ndaj, unë do t’ju ftoja që të punojmë çdo ditë me njerëzit tanë, me familjarët tanë, të shkojmë të trokasim shtëpi më shtëpi, derë më derë, në mënyrë të tillë që ti çojmë njerëzit më 25 prill në kutinë e votimit. E për këtë të jeni të bindur që do të na përgjigjen të gjithë, e më shumë socialistët, të cilët do ta dënojnë me votë, sepse ata nuk pranojnë dot tjetërsimin e vlerave dhe të historisë së tyre.
Një nga dhimbjet më të mëdha të socialistëve është pikërisht braktisja që po i bën baza e Partisë Socialiste. Pse ndodh kjo? Unë kam takuar shumë socialistë në Fier. Edhe dje në Korçë ne ishim në një familje socialiste dhe ata shpërthejnë më shumë se ç ‘shpërthejmë ne. Qëndrueshmëria e më shumë se 30 viteve e socialistëve që kanë qenë studentë e që sot janë gjyshër, u ka ndodhur që iu kanë tjetërsuar punën, kontributet, identitetin, vlerat dhe normalisht njerëzit e kuptojnë që vjen një njeri dhe fshin historinë e mbi 30 viteve të një partie politike. Pra, socialistëve u ka ndodhur një braktisje në masë.
Dhe unë mendoj që goditjen më të madhe do ta marrë nga socialistët e tij, por ne nuk do të gëzohemi nga kjo. Ne duhet të përgatitemi të bëjmë gati një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian me dinjitet, me integritet. Një anëtare e BE-së me djemtë dhe vajzat tona që jetojnë, punojnë këtu si evropianë të vërtetë.
Le të marrim shembull Kosovën, e cila po shpërndan paketën e tretë ekonomike. Kosova sot po zhvillon zgjedhjet, ndërsa ne akoma kemi njerëz që nuk kanë marrë pagesën e paketës së parë të ndihmës ekonomike. Gjithë oligarkët kanë marrë para, ndërsa njerëzit hallexhinj nuk kanë marrë akoma asgjë.
Kam takuar në Korçë shumë qytetarë, të cilët kanë falimentuar me bizneset e tyre. Pse? Ti heqësh bukën e gojës tjetrit, për shkak të bindjes politike? Kjo është diçka kriminale. Dhe ne këtë gjë nuk do ta tolerojmë.
Ndaj, të gjithë atyre burrave dhe grave që i kanë qëndruar LSI-së, unë jo vetëm iu jam mirënjohëse, por mbi të gjitha jam e detyruar për ta çuar betejën, jo deri në fund më 25 prill, por për ta çuar më tej duke i dhënë pushtetin të rinjve dhe të rejave të Kolonjës, të Korçës por edhe të të gjithë Shqipërisë për ta drejtuar ata vetë vendin e tyre. Nuk ka nevojë Qarku i Korçës për tu drejtuar me delegim nga Edi Rama, por ka nevojë që djemtë dhe vajzat e këtij qarku të kthehen këtu, të jetojnë, të punojnë dhe ta begatojnë këtë vend të mrekullueshëm.