Rajoni

Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:31 - 21/06/22 |
Opi Nion

Në Bruksel të martën është arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar në një postim në Twitter i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Për arritjen e marrëveshjes të martën ka shkruar edhe Besnik Bislimi në një postim në Twitter.

“Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

BE-ja pret që gjatë takimeve të sotme, pos finalizimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energji, të diskutohet edhe për përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një vit nuk ka pasur takime në nivel të tillë.

Fillimisht, të martën, janë zhvilluar takime bilaterale të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak, me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë Lajçaku ka pasur edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Burimet e BE-së kanë thënë se do të diskutohet edhe për çështjen e të pagjeturve. Një deklaratë e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje është gati, por ka mbetur që të saktësohen disa terme që përmenden në të, në mënyrë që ajo edhe të nënshkruhet.

Takimet e sotme në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Po ashtu raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Evropian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.

Deri më tash në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.

Arritja e marrëveshjeve ndihmon në krijimin e rrethanave për takim në nivel të lartë dhe për avancim të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thonë diplomatët në BE.

Mungesa e gatishmërisë nga ana e palëve për marrëveshje deri më tash është përmendur nga BE-ja si arsye pse nuk është thirrur ndonjë takim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me përjashtim të një takimi të tyre në Berlin Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut nuk janë takuar tash e një vit.

Pas