Bota

Konflikti në Libi, Erdogan kërkon ndihmën e Evropës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:30 - 18/01/20 |
el ida

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje Evropës që të mbështesë përpjekjet e vendit të tij, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit në Libi.

“Duhet pasur parasysh që Evropa është më pak e interesuar që t’i ofrojë mbështetje ushtarake Libisë, zgjidhja është që të punojë me Turqinë, që tashmë ka premtuar ndihmë ushtarake. Ne do t’i trajnojmë forcat e sigurisë së Libisë dhe do t’i ndihmojmë që të luftojnë terrorizmin, trafikimin me qenie njerëzore”, tha ai.

Duke qenë se Turqia mbështet qeverinë në Tripoli, e cila njihet ndërkombëtarisht, Presidenti theksoi sërish se synimi i tyre nuk është të luftojnë, por “të mbështesin qeverinë legjitime dhe të shmangin tragjedinë humanitare”.

Erdogan i bëri këto komente një ditë para samitit në Berlin, ku do të diskutohet për stabilizimin e rajonit. Në këtë takim pritet po ashtu që Gjermania dhe Kombet e Bashkuara të kërkojnë nga palët rivale në Libi, që po luftojnë për kontrollin e kryeqytetit, Tripoli, të pajtohen për një marrëveshje armëpushimi, si hap i parë drejt arritjes së një marrëveshjeje të paqes.

Prej muajsh, forcat rebele të gjeneralit Khalifa Haftar, të mbështetura nga Rusia, kanë lëshuar një ofensivë të ashpër që synon marrjen e kryeqytetit Tripoli e cila është qendra e qeverisë.

Gjenerali Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa qeveria në Tripoli ka mbështetjen e SHBA-së, Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit./Opinion.al

Pas