Vodhën shuma parash në një banesë dhe një automjet në një fshat të Kavajës, arrestohen 2 persona.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve është me precedent të theksuar kriminale në fushën e vjedhjeve, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2024 është larguar nga Komisariati i Policisë Elbasan ku ishte shoqëruar për një vjedhje.
Uniformat blu sekuestruan një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.
“Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv zbardhjen e vjedhjeve, Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan dhe G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dhe provat e siguruara (përfshirë pamjet filmike), ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret, Kavajë.
Shtetasi N. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në muajin dhjetor 2024, është larguar nga ambientet e DVP Elbasan. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

















