BEOGRAD- Qeveria serbe ndëshkon ambasdorin tonë në Beograd Ilir Boçka. Kjo pasi, ai refuzoi notën e protestës për gurin që u hodh mbi autobusin e ekipit serb mbrëmjen e së mërkurës. Serbia deklaron se nuk do ta njohë për 6 muaj ambasadorin shqiptar të akredituar në Beograd.
“Për 6 muaj nuk do kemi kontakte diplomatike me ambasadorin Ilir Bocka”, u shpreh kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, i cili sqaroi se “kishim dy opsione për Boçkën, ta shpallnim ‘non grata’, ose të mos e njihmin për 6 muaj. Vendosëm për të dytën”.
Ka reaguar Ministria e Jashtme shqiptare, duke shprehur zhgënjim për veprimet e autoriteteve serbe. “Autoritetet serbe po paragjykojnë vullnetin e autoriteteve shqiptare që për momentin janë të interesuara për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit. Sporti dhe politika janë dy fusha të ndara nga njëratjetra”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Shkak për këtë incident diplomatik mes dy vendeve u bë ai gur që u hodh mbi autobusin që transportonte skuadrën serbe të futbollit nga aeroporti i Rinasit në Tiranë. Askush nuk u lëndua nga guri, madje as xhami nuk u thye. Autori, një minoren 14 vjeçar u ndalua nga policia e Tiranës. Por, kjo ka mjaftuar që Serbia ta kthejë “gurin mbi autobus” në një çështje politike mes dy vendeve.