Policia e Durrësit ka arrestuar një 47-vjeçar, pasi përndiqte prej muajsh një 29-vjeçare.
47-vjeçari me iniciale K. G., banues në fshatin Shënavlash, u arrestua pas kallëzimit të të resë në komisariatin e Durrësit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjjthshme, bazuar në informacionin e marrë se një shtetas përndiqte prej disa muajsh një shtetase dhe se ai mbante armë zjarri pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Hija”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. G., 47 vjeç, banues në fshatin Shënavlash.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me municion luftarak.
Ky shtetas ka përndjekur një 29-vjeçare, për disa muaj, duke i shkaktuar asaj ankth dhe frikë.
29-vjeçarja ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, për këtë rast”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”./Opinion.al