Bota

G-7 zotohet të rindërtojë Ukrainën



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:15 - 13/12/22 |
Opi Nion

Udhëheqësit e vendeve të Grupit të Shtatëshes rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën të hënën, duke u zotuar të plotësojnë nevojat e saj urgjente për paisje ushtarake për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë.

Në një deklaratë të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë, G-7 dënoi “sulmet e vazhdueshme çnjerëzore dhe brutale të Rusisë ndaj infrastrukturës jetike, në veçanti rrjeteve të energjisë dhe ujit në qytetet në mbarë Ukrainën”.

Deklarata i quan këto sulme krime lufte dhe dënoi ata që “mbështesin luftën e paligjshme të Putinit”.

Deklarata vjen vetëm një ditë përpara takimit të G-7 në Paris me tematikë rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori pjesë në takimin virtual.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, aktualisht edhe president i G-7, u angazhua për ringritjen e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe e krahasoi rindërtimin e Ukrainës me Planin Marshall të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkohë, forcat ruse goditën Ukrainën lindore dhe jugore të hënën me raketa, dronë dhe artileri. Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal bëri thirrje për dërgimin e raketave Patriot dhe sistemeve të tjera të teknologjisë së lartë për mbrojtjen ajrore ndaj sulmeve të Rusisë.

Të paktën tetë civilë u plagosën më 12 dhjetor nga sulmet me raketa të forcave ruse në qytetin Hirnyk, në rajonin lindor Donetsk, njoftoi guvernatori Pavlo Kyrylenko.

“Të gjithë të plagosurit u dërguan në spital dhe po vlerësojmë përmasat e dëmeve”, njoftoi ai në rrjetin Telegram.

Zona në Hirnyk, rreth 50 kilometra në perëndim të qytetit të pushtuar Donetsk, u godit nga raketa të shumta të llojit Uragan, tha guvernatori.

Moska “vazhdon të terrorizojë ukrainasit paqësorë”, tha zoti Kyrylenko dhe u bëri thirrje banorëve t’i largohen rajonit Donetsk. Zona është epiqendër e luftimeve të ashpra dhe infrastruktura e dëmtuar energjitike ka lënë miliona njerëz pa energji, ndërsa temperaturat janë nën zero.

Të gjitha termocentralet dhe hidrocentralet e Ukrainës janë dëmtuar nga sulmet e fundit të Rusisë që kanë në objektiv rrjetin e furnizimit të vendit, tha të dielën kryeministri i Ukrainës.

Presidenti Zelensky tha gjatë fjalimit të tij të dielën se ekipet e emergjencave kishin arritur të rikthenin pjesërisht energjinë në qytetin jugor Odesa, ku sulmet ruse goditën të shtunën dy centrale energjitike dhe ndërprenë energjinë për 1.5 milionë njerëz.

Sipas një zyrtari të lartë të Pentagonit, Rusia do të ketë harxhuar pjesën më të madhe të rezervave të municionit në fillimet e vitit 2023. “Kanë tërhequr nga rezervat e vjetëruara të Rusisë, gjë që sinjalizon se janë të gatshëm ta përdorin atë municion, një pjesë e të cilit është prodhuar edhe 40 vjet më parë”, tha zyrtari në kushte anonimiteti.

Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve tha të hënën se pritet një tjetër valë prej qindra mijëra refugjatësh nga Ukraina drejt Evropës gjatë dimrit, për shkak të kushteve “të pajetueshme”.

“Do të ketë qindra mijëra më shumë, ndërsa bombardimet e tmerrshme dhe të paligjshme të infrastrukturës civile e bëjnë jetën të pajetueshme në zona të shumta”, i tha zoti Egeland agjencisë së lajmeve Reuters.

Në informimin e përditshëm, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ukrainase kishin zmbrapsur sulmet e forcave ruse në katër pjesë të rajonit lindor Donetsk dhe në tetë zona në rajonin fqinj Luhansk. Këto dy rajone janë ndër katër rajonet që Moska pretendon t’i ketë aneksuar pas “referendumeve” që u quajtën të paligjshme nga Kievi.

Ukraina ka thënë se forcat ruse po pësojnë humbje të mëdha në frontin lindor gjatë luftimeve të ashpra që po dëmtojnë edhe forcat ukrainase.

“Ka ditë kur ka shumë të plagosur rëndë; katër apo pesë të gjymtuar së bashku”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters një mjek ushtarak.

Të paktën dy veta u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën të hënën në Khersonin e çliruar rishtazi, nga goditje masive me artileri nga forcat ruse, tha Guvernatori Yaroslav Yanushevych.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë vendosje sanksionesh të reja ndaj Rusisë dhe fonde të mëtejshme për ushtrinë e Ukrainës gjatë një takimi të hënën, ndërsa Shtetet e Bashkuara garantojnë vazhdimësinë e mbështetjes për Ukrainën ndërkohë që vazhdojnë sulmet ruse ndaj infrastrukturës jetike.

Paketa e propozuar e BE-së që po diskutohet në Bruksel, mund të ofrojë dërgesa armatimesh për Ukrainën me vlerë 2.1 miliardë dollarë.

BE-ja ka vendosur tashmë tetë herë sanksione ndaj elitës dhe industrisë ruse në përgjigje të sulmit që filloi në muajin shkurt. Në raundin e nëntë do të përfshihen zyrtarët e qeverisë, si dhe industria ruse e mbrojtjes dhe bankat.

Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi me telefon të dielën me Presidentin Zelensky, një ndër disa telefonata që presidenti ukrainas pati me udhëheqësit botërorë, përpara mbajtjes së bisedimeve të BE-së dhe takimeve të tjera kryesore të kësaj jave.

Ndërkohë në Ukrainë ka mbërritur drejtuesi për operacionet e ndihmave të OKB-së, Martin Griffiths, i cili gjatë një qëndrimi katërditor do të ndalet edhe në qytetin Mykolaiv për të parë situatën e strehimit të njerëzve të zhvendosur nga sulmet e forcave ruse, si dhe në Kherson për të parë se si zyrtarët lokalë dhe të OKB-së po punojnë për të ngritur qendra ngrohjeje për njerëzit që kanë mbetur pa ngrohje, energji dhe ujë në shtëpitë e tyre.

Një deklaratë e OKB-së thotë se zoti Griffiths “do të shohë ndikimin e përgjigjes humanitare dhe sfidat e reja që kanë lindur ndërsa rriten dëmet ndaj infrastrukturës në mes të ngricave të dimrit”.

Që nga tetori, Rusia ka goditur rrjetin e furnizimit me energji të Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelensky thotë se këto sulme janë krime lufte ndaj jetesës së civilëve, ndërsa Moska thotë se janë objektiva legjitime ushtarake.

Pas