Janë regjistruar 3 denoncime ndaj 3 kandidatëve të Partisë Demokratike në Lushnjë dhe Fier, siç raporton gazetari Merin Maçi.
Në lidhje të drejtpërdrejtë për Tv Klan, gazetari informon se janë denoncuar nga ana e qytetarëve dhe kandidatë të subjekteve të tjera politike se ata ndodheshin në afërsi të qendrave të votimit.
Një pretendim ka për kandidaten demokrate të Fierit, Silva Hasaj, se ajo ka qenë pranë qendrave të votimit dhe ka përdorur presionin për votat. Sakaq, ende nuk ka konfirmim lidhur me denoncimet nga uniformat blu.
“Të paktën këto janë të dhëna, të referuara edhe në polici nga qytetarë, edhe kandidatë të subjekteve politike, të cilët janë vënë në dijeni të këtyre informacione në anë të burimeve të tyre, por edhe personave që ndjekin nga afër procesin e votimit. Bëhet me dije për 3 denoncime të paktën, ku kandidatë të PD pretendohet se kanë qenë prezentë në afërsi të qendrave të votimit, konkretisht në 2 raste në Bashkinë e Lushnjës, e 1 rast në Bashkinë e Fierit, ku kandidatja e PD, Silva Hasaj, të paktën ka një pretendim se është gjendur në afërsi të qendrave të votimit. Ky pretendim është shoqëruar me pamje filmike apo foto të fiksuar nga qytetarë apo votues”, raporton gazetari.