Franca do të aplikojë kuota për një numër punëtorësh nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve që kanë lindur për emigrimin, azilin dhe integrimin.
“Ne duam të fitojmë sërish kontrollin e politikave tona të emigrimit”,-ka thënë kryeministri francez, Edouard Philippe.
Në shenjë se qeveria është duke formësuar një qasje më të ashpër ndaj emigrimit, Philipe ka thënë se Franca nuk është ishull dhe se marrja e kontrollit do të thotë se kur Franca thotë jo, nënkupton jo dhe kur thotë po do të thotë po.
Ai nuk ka sfiduar hapur rregullat e BE-së për azilin, mirëpo e ka bërë të qartë se emigrimi dhe ambienti janë dy çështje që duhen bërë prioritet për institucionet e BE-së.
Kujdesi shëndetësor do të ndalojë për ata që nuk kanë leje për të jetuar në këtë shtet.
Tendat e emigrantëve, të cilat janë shtuar në zonat në verilindje të Parisit, pritet të largohen nga kjo hapësirë në fund të vitit.
Franca është vetëm një nga disa shtetet evropiane që është përballur me fluks të emigrantëve që kanë arritur në këtë shtet ilegalisht, për këtë arsye qeveria është nën presion për të reaguar.
Përveç Francës, edhe shumë shtete tjera kanë ashpërsuar politikat e tyre ndaj emigrantëve, në përgjigje të fluksit me të cilin është përballur blloku evropian që prej 2015-ës.
Në Greqi është parë një rritje e konsiderueshme e numrit të emigrantëve që kanë ardhur nga Turqia dhe Ishujt Egje, për këtë arsye javën e kaluar parlamenti në Athinë ka miratuar masa të reja me qëllim të përshpejtimit të procedurave të azilit./Opinion.al/