Sociale

Stop/ Mjekët merrnin para pa bërë asnjë vizitë


               Publikuar në : 21:13 - 06/11/19 |
xhu lia

Një banor i zonës së Bathores në Tiranë është ankuar pranë emisionit “Stop” në Tv Klan se në qendrën shëndetësore të kësaj zone, mjekët japin raport mjekësor të aftësisë për punë pa kryer asnjë nga 5 kontrollet e nevojshme. Mjafton që të paguash 12 mijë Lekë të vjetra nën dorë! Sipas procedurës normale, qytetarët që kërkojnë raport për aftësinë në punë, duhet të kryejnë 5 kontrollet e detyrueshme dhe ky shërbim kushton 2 mijë Lekë të vjetra. Ndërsa në qendrën shëndetësore të Bathores, mjekët e japin për 12 mijë Lekë të vjetra pa kryer asnjë kontroll!?

Qytetari: Vajta në qendrën shëndetësore Bathore dhe kërkova një raport që jam i aftë për punë. Ata më kërkuan 12 mijë Lekë të vjetra. Ndërkohë që më plotësuan dokumentin, unë i pyeta për çfarë janë këto 12 mijë Lekë. Ata më thanë që janë për dokumentin që do të japim ne, gjoja sikur ti po viziohesh me të vërtetë. Isha i detyruar ta blija. U habita, kur një shoku im e ka marrë pa asnjë Lekë. Nuk bëra asnjë kontroll. Thjesht më tha sy dhe vesh i ke. Para 3 muajsh e ka marrë nusja ime, ka paguar 12 mijë Lekë, vjehrra ime që ka marrë dokument që është e aftë për punë për t’u regjistruar në një fabrikë ka marrë prapë të njëjtën gjë. I kërkova mandatin, më tha nuk ka mandat për 10 mijë Lekëshin. Pse të merret 12 mijë Lekë kot?

Dy mjekët e qendrës shëndetësore në Bathore, Elidjan Behluli dhe Fatbardha Dervishi janë filmuar nga kamera e fshehtë, teksa secili prej tyre u jep qytetarëve raportin mjekësor të aftësisë për punë kundrejt pagesës 12 mijë Lekë të vjetra nën dorë.

KAMERA E FSHEHTË TEK MJEKU ELIDJAN BEHLULI:

Qytetari: Dua një raport, që je i aftë për punë!

Elidjan Behluli: A je i aftë për punë, apo?

Qytetari: Po, a je i aftë për punë?

Elidjan Behluli: A do me vazhdu punë të re?

Qytetari: Po dhe më duhet të bëj një patentë për vinc.

Elidjan Behluli: Aaa, do me vazhdu punë. Ai raporti mjeko-ligjor asht me rregulla. Duhet me bo ca analiza, ca gjana. Pa analiza bën 12 mijë lekë.

Qytetari: 12 mijë lekë ëë?

Elidjan Behluli: Po!

Qytetari: Shiko, të ta sqaroj, që mos të jemi…për me bo këto analizat!
Elidjan Behluli: Kjo pjesa, ta jap ty unë. Kjo është sëmundje e dermatologjisë, sëmundje e shëndetit mendor, okulisti duhet me i bo këto analizat.

Qytetari: Aha, duhet me i bo! Tashi duhet me shku, me i bo unë këto?

Elidjan Behluli: Ta jap me shkrim unë, që mos të të sorrollas andej. 12 mijë lekë është.

Qytetari: Ok! Në rregull!

Qytetari: Karta e identitetit të duhet?

Elidjan Behluli: Kartat jo, s’ka nevojë!

Elidjan Behluli: Urdhëro! Kjo është!

Qytetari: Kjo është, ëë?

Elidjan Behluli: Po, pa merak fare!

Qytetari: Sa lekë bën?

Elidjan Behluli: Aq sa të thashë.

Qytetari: (Numëron lekët) 10…12. Inshalla s’më qesin ndonjë problem tjetër!

Elidjan Behluli: Jo, jo!

Qytetari: Po qe se nuk është në rregull, vij prapë unë!

Elidjan Behluli: Patjetër! A je i aftë për punë, ma sqaroi tamam, kështuqë në qoftë se do për patentë, për ndonjë gjë tjetër të ndihmoj unë për formular…

KAMERA E FSHEHTË TEK MJEKJA FATBARDHA DERVISHI:

Qytetarja: C’kemi? Si jeni? Tani duhet të shkoj në punë, në fabrikë edhe më duhet një vërtetim pune, që jam në gjëndje…

Mjekja: Aa.., ti do bësh analizat?

Qytetarja: Që jam në gjëndje.

Mjekja: Sy e vesh, të gjitha i ke.

Qytetarja: Dua t’i bëj me analiza!

Mjekja: Gjoja!

Qytetarja: Gjoja…

Mjekja: Ok! Si të duash ti! (qesh)

Qytetarja: Ok! Sa kushton kjo, për t’u bërë, se s’e kam haberin fare?

Mjekja: S’ke hyrë ndonjëherë në punë?

Qytetarja: Ku di unë! Hera e parë, që po shkoj në punë.

Mjekja: 12 është kështu pa analiza, pa vizita.

Qytetarja: Ok!

Mjekja: Më jep kartën e identitetit!

Qytetarja: Kam patentën, a të prish punë?

Qytetarja: 12 thatë, se bo? 10…12. Jemi në rregull?

Mjekja: Po!

Qytetarja: Mirupafshim! Gjithë të mirat!

Të dy mjekët në fjalë janë filmuar duke marrë para për këtë procedurë. Por kur i pyet gazetarja përse japin raport mjekësor të aftësisë në punë pa kryer 5 kontrollet e nevojshme, mjeku Behluli mohon kategorikisht të ketë bërë një veprim të tillë. Ndërsa kolegia e tij nuk ka një qëndrim kaq kategorik, dhe mesa kuptohet nga sjellja e saj, është e vetëdijshme që emisioni “Stop” i ka të filmuara rastet në fjalë.

Gazetarja: Unë kam disa denoncime që këtu në qendrën shëndetësore jepen raporte mjekësore për aftësinë në punë me Lekë.

Mjekja: Ne e bëjmë me analiza.

Gazetarja: Ju keni dhënë këto raporte për shumë qytetarë, si mund të japësh që është i aftë për punë dhe nuk ke bërë asnjë kontroll nga asnjë specialist, dhe nesër-pasnesër do bëhet shofer.

Mjekja: Kam bërë vizitat, analizat, të gjitha.

Gazetarja: Si mund të kushtojë një raport 12 mijë Lekë (të vjetra)?

Mjekja: Jo mi nuk kushton 12 mijë Lekë.

Gazetarja: Si mund të japësh një raport mjekësor i aftë për punë pa bërë asnjë kontroll?

Mjekja: Po bëhen mi kontrollet.

Gazetarja: Kur e keni bërë ju?

Mjekja: Bëhet vizita, është kartela dhe të gjitha. Në qoftë se ka probleme që janë pacientë të sëmurë…

Gazetarja: Ju i keni çuar të gjithë tek specialistët përkatës?

Mjekja: Jo të gjithë çohen, vetëm kush ka probleme.

Gazetarja: Ku e kupton ti që ka problem apo s’ka problem.

Mjekja: Po bëhet vizita, shifet, dihet pacienti.

Gazetarja: Ti nuk ke bërë asnjë vizitë, ti e sheh, merr 12 mijë Lekë dhe jep raportin i aftë për punë. Si mundet ta bësh këtë gjë?

Mjekja: Po kush e ka bërë mi ti…

Gazetarja: Denoncime kam dhe për ju, që ju i lëshoni raportet mjekësore të afta për punë me vlerën 12 mijë Lekë.

Mjeku: Absolutisht që nuk ndodh kjo punë!

Gazetarja: Nuk e keni bërë?

Mjeku: Absolutisht që jo!

Gazetarja: Si mund të japësh raport i aftë për punë në momentin që ti nuk bën 5 kontrollet tek specialistët?

Mjeku: Nuk kam bërë, ti më thua mua që e ke bërë. Ok, thirre pacientin kush është ankuar.

Gazetarja: Unë e kam me fakte!

Mjeku: Thirre pacientin.

Gazetarja: Nuk dua ta thërras pacientin, ti e ke bërë dhe je i vetëdijshëm.

Mjeku: Të lutem dil jashtë.

Gazetarja: Si mund ta quash tjetrin të aftë për punë dhe nesër del shofer, ti nuk i ke kontrolluar as sytë, as veshët, as dermatologji, as psikiatri.

Mjeku: Unë i di shumë mirë si veprohet, nuk është nevoja që të ketë denoncime.

Gazetarja: Pse nuk i zbatoni?

Mjeku: Më gjej pacientin edhe hajde pastaj bisedojmë.

Gazetarja: Ta gjej unë pacientin, shife në emision./Burimi Tv Klan/

 

Pas