Turizmi bregdetar në Shqipëri nuk po përballet vetëm me mungesën e turistëve të huaj por edhe me problematikën që vjen nga ndotja e detit.
Në këto pamje që i kanë ardhur redaksisë së Opinion.al, të cilat janë bërë gjatë një udhëtimi me traget nga Bari në Durrës, vihet re shkarkimi i mbetjeve të tragetit vetëm 2 milje larg bregut.
Këto mbetje shkaktojnë ndotjen e ujrave e cila është e dëmshme për shëndetin e qytetarëve që lahen në këto brigje. Po ashtu ajo është e dëmshme edhe për natyrën në këtë zonë. Ndërkaq, nuk ka asnjë mjet i cili të monitorojë këto veprime të trageteve që hyjnë në ujrat e Shqipërisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për zonat me turistë.
Në të shumtën e rasteve, dallgët do t’i afrojnë këto mbetje në breg, ku ndodhen edhe pushuesit. Këta të fundit po “kërkohen me qiri” këtë vit nga operatorët turistik për shkak të situatës Covid. Industria e turizmit është më e goditura rëndë nga kriza që po shkakton pandemia.
Problematika e shkarkimit të mbetjeve të mjeteve lundruese pranë brigjeve nuk është e re në vendin tonë. Por këtë vit, duke u nisur edhe nga rethanat e veçanta të cilat kërkojnë mbrojtjen dhe promovimin e turizmit, kjo problematikë duhej adresuar për t’i dhënë fund këtij fenomeni një herë e përgjithmonë. /Opinion.al