Rajoni

Escobar e Lajçak, në përpjekje për shmangien e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:33 - 24/08/22 |
Opi Nion

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, thanë të mërkurën se po bëjnë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave, që do të shmangte tensionet në terren.

Ata i bënë këto komente pas takimeve në Prishtinë me udhëheqësit e Kosovës, para se të shkojnë në Beograd, në një përpjekje për të siguruar marrëveshje mes palëve.

“Ne jemi këtu që të sigurohemi që asgjë e keqe nuk do të ndodhë”, tha zoti Lajçak duke mos dashur të jap hollësi lidhur me propozimet e mundshme për zgjidhjen e çështjes.

“Mesazhi më i rëndësishëm është se ne jemi këtu së bashku me Gabriel Escobarin, së pari për të treguar unitetin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, që është i plotë dhe po punojmë së bashku kur vjen puna te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe e dyta faktori ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për atë që kemi parë në terren më 31 korrik dhe presimqë ne të gjithë së bashku, negociatorët por edhe udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe për këtë jemi këtu”, tha zoti Lajçak.

“Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra, tani jemi këtu për t’u siguruar që të gjitha dëshirat e mira dhe ai optimizëm të shndërrohen në një propozim konkret”, tha zoti Escobar duke nënvizuar se vizita e tij paraqet mbështetje për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Unë jam këtu për të mbështetur në fakt Kosovën dhe Serbinë për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira…unë doja të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se vizita ime këtu ishte vërtet për të treguar mbështetje të plotë për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha zoti Escobar.

Zoti Escobar dhe Lajçak u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës.

Beogradi zbaton masa te njëjta për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi gjatë 10 viteve të fundit.

Vizita e tyre pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nuk u shënua ndonjë përparim, por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, tha mbrëmë në një intervistë me televizionin serb N, se Serbia shkoi e përgatitur në bisedimet e së enjtes, gjë që nuk mund të thuhet për palën tjetër.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili foli të mërkurën për herë të parë për ecurinë e këtyre bisedimeve tha se ka pasur propozim që të rikthehen targat e automjeteve me akronimin KS, neutrale ndaj statusit politik të Kosovës.

“Opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale me vetveten nuk vjen në konsiderim, me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit të kaluar, nuk mund të ketë prodhimtari neutrale ndaj statusit në Republikën e Kosovës. RKS janë tabelat e Kosovës dhe madje kjo është në përputhje me vet zotimet e Beogradit të bëra në Bruksel”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se gjatë bisedimeve në Bruksel, pala serbe nuk ka pasur angazhim dhe propozime konkrete. Ai tha se Serbia panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke përshkallëzuar retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë, ndërsa po kërcënon qytetarët serbë për të penguar integrimin e tyre.

Presidenti serb ka akuzuar Kosovën për refuzimin e çdo kompromisi ndërsa ka theksuar se qëllimi i vetëm i Prishtinës është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe përndjekja e serbëve nga Kosova.

Ai ka paralajmëruar se serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet ,nëse nuk gjendet zgjidhje për shqetësimet e tyre. Ky paralajmërim u ritheksua të mërkruën nga kryetarët e katër komunave në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe, gjatë një mbledhjeje të tyre të përbashkët lidhur me çështjen e reciprocitetit./VOA

 

Pas