Rajoni

Escobar: Ballkani Perëndimor është mundësi, jo rrezik për BE-në



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:43 - 31/01/22 |
Opi Nion

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.

Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, Escobar tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, të hënën nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, vizitë që ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut nisi me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit tha se shteti është i përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke, duke theksuar se një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, tha Osmani, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e saj.

Sipas njoftimit, Osmani tha se pret që të ketë trajtim të barabartë të palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Presidentja Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Serbia po vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe paraqet pengesa sa herë që ka takime të organizuara në kuadër të këtij procesi.

Pas takimit me Osmanin, Escobar dhe Lajçak u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë vizitës në Kosovë, dy zyrtarët perëndimorë pritet të takohen edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.

Ndonëse Hovenier nuk i ka përmendur në mënyrë specifike ato modele, Osmani ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës janë të vendosura që “të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional”.

“Propozimet, për të cilat po përflitet, për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës”, u ka thënë Osmani gazetarëve gjatë një vizite në Podujevë.

“Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani, e cila ka qenë e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia vazhdimisht ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për mosgatishmëri për dialog, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të angazhohen në këtë proces, që synim ka arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Në fund të vitit të kaluar, Kurti ka deklaruar se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia për vazhdimin e dialogut.

“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel, nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time”, ka deklaruar Kurti më 29 dhjetor, 2021.

Më herët, ai ka thënë se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 7 dhjetor se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo, e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 30 janar se “fajtor” për moszhvillimin e rundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos”, ka thënë Sellakoviq.

Që nga koha kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021, ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Që të dyja takimet kanë qenë të pasuksesshme dhe kanë dëshmuar se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.

Pikërisht kjo i ka detyruar zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.

Serbia insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë që është kundërshtuar nga Kosova.

Për Prishtinën zyrtare, çështja e personave të zhdukur e lëvizja e lirë janë në mesin e prioriteteve.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011.

Ndonëse, fillimisht, është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dyja vendeve, në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik.

Marrëveshja e parë, që është arritur në vitin 2011, ka qenë për librat e amzës dhe më pas është nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

Kanë pasuar edhe marrëveshje të tjera, si ajo për vulat doganore, për pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufijve, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, për gjyqësorin etj. Por, këto marrëveshje nuk janë zbatuar të gjitha në terren.

Pas