Kushdo e mban mend aksionin e madh të qeverisë për pagesën e faturave të energjisë elektrike në 2015. Shumë njerëz u burgosën dhe shumë të tjerëve iu ndërpre energjia për shkak të faturave të papaguara. Madje në disa raste mungesave e parave për të paguar çoi në tragjedi si në vetëvrasje apo vrasje për shkak të këtij aksioni.
Sot qeveria ka një problem tjetër. Përballë ka pikërisht institucionet shtetërore që nuk paguajnë energjinë.
Borxhlinjtë më të mëdhenj të kompanisë së shpërndarjes së energjise elektrike (OSHEE) janë institucionet dhe ndërmarrjet, thotë Ministria e Energjisë.
Gjatë vitit 2015-të dhe deri më sot, energjia e papaguar e këtyre institucioneve arrin në 80 milion dollarë.
Entela Çipa, këshilltare për çështjet e energjisë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, thotë se ata të cilët kanë vonesat më të mëdha janë bashkitë dhe ujësjellësit.
Por ajo sqaron se për to nuk mund të merren masa drastike, pasi rrezikojnë furnizimin me ujë dhe ndërprerjen e shërbimeve të tjera publike, si ndriçimi, apo funksionimi i shkollave dhe kopshteve.
Për këto institucione është tentuar që të bëhen disa akt-marrëveshje, në mënyrë që të paguhen detyrimet. Po ashtu është çuar edhe një shkresë te dega e thesarit për ngrirjen e fondeve që jep buxheti.
Një javë më parë Këshilli i Ministrave shtyu afatin për task-forcën e energjisë elektrike. Objektivi i ri i saj është që humbjet në rrjetin e energjisë të arrijnë në 25% në fund të 2017-ës.
Në fokus do të aksioneve të saj do të jenë bizneset, sidomos ato të cilat ushtrojnë aktivitetin gjatë sezonit të verës në zonat turistike.