Është identifikuar bashkëpunëtori i Ernejt Shytit, personi që vrau me armë zjarri në Tiranë, Behar Sofinë, më 25 shkurt 2021.
Mësohet se bashkëpunëtori në krim është Bujar Leza 45-vjeç, banues në Larushk të Krujës. Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”
Ekzekutimi i masës së sigurisë ndaj 45-vjeçarit është bërë në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i cili ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të Bujar Lezas për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.