“E marr si kërcënim!” I sapolinduri ndërron jetë në spital, nuk i bëjnë autopsi

Neritan Halilaj nga Vlora tregon se në muajin Tetor, bashkëshortja lindi një djalë. Lindja shkoi shumë mirë, por mjekja po i bënte mjekim për shkak se të sapolindurit i kishin dalë disa puçrra në fytyrë dhe trup.


“Lindi çun, lindi mirë. Doktoresha më tha që të gjitha gjërat ishin mirë. Djali shtonte në peshë mirë. Lindja ishte normale, e rregullt. Vajta ditën e tretë për ta nxjerrë nga spitali unë nusen dhe më tha doktoresha që do rrijë dhe 2 ose 3 ditë sepse i kishin dalë disa puçrra të kuqe. Të merrte një mjekim, nuk e di, më duket se ishte antibiotik. Puçrrat i kishin dalë nga fytyra, nga trupi. Kur shkova ditën e tretë nuk më thanë që është i sëmurë. E mbajtën 5 ditë në spital, ditën e pestë unë shkova në punë, flisja me nusen gjatë kohës më thoshte është mirë dhe do dalim. Djali ishte shumë mirë dhe vazhdonte të merrte ilaç deri ditën e pestë sepse e kishte ditën e fundit për ta marrë atë antibiotikun. Atë ditë ka bërë vaksinën deri nga ora 11 dhe i tha ajo do e mbajmë këtu ne deri në 12 sepse mbaron atë antibiotikun që kishte, ti shko në dhomë i tha nuses, bëhu gati dhe hajde që ta marrësh”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.

Lumturia dukej se do të qëndronte shumë pak dhe do i linte vendin hidhërimit, pasi në ditën e pestë Sidorela dhe Neritani do të merrnin lajmin e trishtë, pasi djali i tyre kishte ndërruar jetë.

“Kur shkoi tek dhoma djalin nuk ia kishin sjellë. Kur shkoi ishin mbledhur doktoresha e doktorë atje,  ndërkohë që nuses nuk ia hapnin derën. E ka shtyrë nusja derën me forcë hyri brenda, kur pa djalin pa shenja jete. Ishte pa jetë, i kishin bërë masazhe, i kinin çuar disa tubo tek goja. Dua ta di nga se, për 20 minuta të humbasë jetën një fëmijë?!”, tha Neritani.

Neritani ka kërkuar të dijë arsyen pse ndërroi jetë, por nuk ka një përgjigje dhe rezultati i autopsisë nuk po del.

“Atë ditë që ndërroi jetë nuk e takova dot djalin, se isha në punë. Nuses i kishte rënë të fikët katër herë, shkova dhe unë më ra të fikët. Po bën 3 muaj, tani kur do të dalë kjo autopsia për një vit?! Arsyeja ku është arsyeja. Mirë humbi ky fëmijë, por përgjigja nuk do të vijë”, tha ai.

Mjekja gjinekologe thotë se gjatë lindjes, çdo gjë shkoi mirë. Sa për vaksinat, ajo thotë se u bëhen të gjithë fëmijëve të sapolindur.

Gjinekologia: Ç’kemi? Ç’bëni? Si jeni?

Qytetari: Mirë!

Gjinekologia: U qetësove një çikë?

Qytetari: Fare!

Gjinekologia: Pse fare, mo?

Qytetari: Fare … jam…

Gjinekologia: Po ti do bësh djalë tjetër, po hajde. Bebi lindi mirë, të informoi edhe doktoresha e bebit edhe ça… Ai lindi shumë mirë, e kishin ndjekur. Momenti i lindjes kaloi mirë, qau dhe ajo e pa edhe ju vetë e patë. Pastaj, që nga momenti që lind, nuk merrem unë më. E mori doktoresha e bebit dhe u kujdes, por ajo e mbajti madje në kontroll për atë të membranave, diçka e tillë që kishin plasur ujërat. Po! Siç do… është protokoll, që të gjithë bebat e mbajnë në kontroll, por ajo e pa vetë kur lindi, si lindi. Unë nxjerr bebin nga barku dhe kujdesem për gruan pastaj. Unë jam shokuar atë ditë, që e kam dëgjuar. Për Zotin, jam shokuar, sepse kam qenë në shtëpi. Si ka mundësi?

Qytetari: Doktoresha, kur ishte mirë, pse mori mjekim?

Gjinekologia: Atë.. dëgjo…! Ajo ta ka sqaruar doktoresha e bebit. Ia ka vënë për protokoll për membranat e plasura, që nuk e bën vetëm ajo, e bëjnë të gjithë bebat, që kanë ujërat të plasura mbi 12 orë. Po, po ja të shikosh të gjitha ata fëmijët, që kanë mbi 12 orë, kanë protokollet e tyre. Marrin për profilaksi, që të mos marrin infeksion. Sepse vaksinat u bëhen të gjitha bebave. E kupton? Ato kanë protokolle. Ditë të tretë, ditë e pestë…

Neritani kontaktoi edhe mjeken neonate për ta pyetur për diagnozën, por edhe këtë herë nuk mori asnjë përgjigje.

Qytetari: Pse më iku djali nga jeta për çfarë arsye? Dua ta di të vërtetën sepse mua nuk po më zë gjumi natën.

Mjekja: Po a ke hapur proces, o Neritan?

Qytetari: E kam hapur procesin dhe nuk më kanë kthyer përgjigje prandaj dua të më sqarosh ti.

Mjekja: As mua nuk më kanë kthyer përgjigje.

Qytetari: Për çfarë arsye?

Mjekja: As mua nuk më kanë kthyer. Nuk e di, të them të drejtën. Tani, si do më pyesësh mua, kur ke hapur një proces? Ekspertiza duhet të flasi!

Qytetari: Çfarë sëmundje kishte djali im?

Mjekja: Atë sëmundje, që shkenca e njeh që kartela e ka, që ne ta sqaruam. Ti nuk do, që ta kuptosh këtë gjë. Të lutem shumë, ke hapur një proces ndiq rrugën ligjore! Mos ta kuptoj unë këtë si persekutim, apo si kërcënim, që po më bën mua.

Qytetari: Nuk po të bëj kërcënim thjesht po të pyes.

Mjekja: Atëherë, për çfarë më merr mua në telefon? Të lutem shumë, mbylle në sekondë telefonin tim!

Qytetari: Çfarë sëmundje kishte?

Mjekja: Të lutem, mbylle pak telefonin tim!

Qytetari: Doktoresha të lutem më dëgjo pak.

Mjekja: Jo, nuk të dëgjoj. Nuk të dëgjoj fare!

Qytetari: Për çfarë arsye nuk më dëgjon kur unë kam humbur një fëmijë. Kur mua nuk më zë gjumi natën. Ti nuk më sqaron mua si doktoreshë.

Mjekja: Të kam sqaruar unë.

Qytetari: Kur më ke sqaruar?

Mjekja: Për aq sa unë mund të sqaroj, të kam sqaruar. Për ato, për të cilat unë nuk jam e sqaruar, të tjerët duhet të flasin! As unë nuk e di.

Qytetari: Këtë antibiotikun, këto ilaçet për çfarë ia dhe djalit tim?

Mjekja: Më dëgjo një sekondë! Unë flas me një familjar, nuk flas me një ekspert të mjekësisë.

Qytetari: Se unë nuk e di që një fëmijë i bëhet antibiotiku për 3 ditë.

Mjekja: Ashtu ëë?! E di gabim, o Neritan! Sepse për atë punë, ndryshe nuk do ishin shpikur mjekimet.

Qytetari: Për çfarë ia bëre antibiotikun kur mua më the që djali nuk është sëmurë?

Mjekja: Ashtu ëë?!

Qytetari: Po!

Mjekja: OK! Ka një kartelë aty, ku gjërat janë të dokumentuara.

Qytetari: Doktoresha më dëgjo pak.

Mjekja: Nuk të dëgjoj! Mos më merr më në telefon!

“Stop” u interesua pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku u tha se dosja u mor në dorë në datën 9 Janar dhe do të dalë rezultati për një javë./tvklan.al



Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT