Bota

Dy skenarët e mundshëm pas dorëheqjes së kryeministrit në Itali


               Publikuar në : 17:17 - 21/08/19 |
Al Do

Qeverisjes 14-mujore mes Lëvizjes 5 Yje dhe Lega Nord në Itali i ka ardhur fundi teksa kryeministri italian Giuseppe Conte ka dorëzuar dorëheqjen tek Presidenti Sergio Mattarella.

Vendi ka hyrë në një krizë politike dhe tashmë i takon partive politike të prezantojnë propozimet e tyre për zgjedhjen. Skenarët e mundshëm janë çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme ose krijimi i një qeverie të re.

Të enjten pasdite pritet që partitë politike të dalin me një qëndrim zyrtar, pra presidenti do të caktojë një datë zgjedhjesh ose do të mandatojë një kryeministër për të formuar një kabinet të ri qeveritar. Mediat vendase raportojnë për një afrim mes Lëvizjes 5 Yjet së Luigi Di Maios me Partinë Demokratike të Nicola Zingaretit. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe ish-kryeministri Renzi i cili ndër të tjera theksoi se nuk do të marrë asnjë pozicion drejtues në qeverinë e re nëse krijohet një e tillë.

Të dyja forcat politike i kanë numrat për të formuar një qeveri pasi zotërojnë 159 vende nga 315 që ka Senati. Nga kjo lëvizje pritet që në krye të qeverisë të dalë kryeministër Luigi Di Maio.

Nxitësja e krizës ishte Lega Nord e Salvinit e cila ka mbajtur një qëndrim pro zgjedhjeve të parakohshme. “Kush ikën nga zgjedhjet do ta ketë ndërgjegjen e pistë” ka shkruar Lega në një qëndrim zyrtar.

Vendimmarrja për vazhdimësinë e qeverisjes duhet ndërmarrë shpejtë pasi Italia duhet të paraqesë një kandidaturë për Komisioner të Bashkimit Europian brenda 26 gushtit dhe në tetor duhet të dërgojë në Bruksel një projektligj për buxhetin e vitit të ardhshëm. /Opinion.al

Pas