Ditën e sotme nisi zbatimi i amnistisë penale për mbi 1300 të burgosur, nga të cilët 541 lirohen sot. Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi. Prej tij përfitojnë edhe gra e të mitur.
Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe nëse vendimi i Apelit nuk është zbardhur ende.
Mes emrave të njohur është ai i Rozeta Dobit, sanitares së ish-zyrtares Alda Klosi, në shtëpinë e së cilës u gjetën 500 mijë euro të cilat pretendonte se ia kishte dhënë shefja e saj për t’i ruajtur. Dobi ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg.
Erisa Fero, ish-punonjësja e AKSHI-t që u kap me 58 kilogram kanabis, gjithashtu do të lirohet, si edhe mësuesja Marsela Pushani, e cila vrau motrën e saj të alkoolizuar.
Lirohet gjithashtu Florian Përvathi, i dënuar me 8 vite burg për vrasjen e Lek Legjonajt, vëllait të vrasësit të babait të tij. Mes përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja.
Tirana – 6 të liruar
Lushnja – 127 të liruar
Fieri – 104 të liruar, 210 ulje dënimi
Reçi – 101 të liruar
Rrogozhina – 94 të liruar
Korça – 60 të liruar
Sipas ligjit, liri do të përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative, gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta. Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.
Një tjetër kriter përfitues është dhe mosha. Burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.
Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda. Gjithashtu nuk do të përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, pra ata që janë fshehur, arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.
Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.
Përfituesve të tjerë u falet ndjekja penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët.














