Rajoni

Dy opsionet politike e kushtetuese pas dorëheqjes së Haradinajt


               Publikuar në : 13:15 - 20/07/19 |
geliano fataj

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit të Kosovës, i ka zënë partitë politike në befasi, por vendi tashmë gjendet para dy opsioneve ligjore dhe kushtetuese se si duhet të veprojë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se për rastin konkret, Kushtetuta parasheh mundësinë e futjes së vendit në zgjedhje të parakohshme si dhe mundësia tjetër është nxjerrja e një kandidati të ri për kryeministër nga koalicioni qeverisës ekzistues.

“Mundësia më e mirë është ajo që thotë se Kuvendi duhet ta shpërbëjë veten dhe të shkohet në zgjedhje, sepse objektivisht, Kuvendi, i cili është organi legjitimues i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës, ka humbur rolin dhe funksionin e tij kushtetues për shkak të humbjes së legjitimitetit politik në mënyrë të konsiderueshme, për arsyet që tashmë dihen. Së dyti, është edhe mundësia tjetër, që të shkohet sikur pas zgjedhjeve”.

“Do të thotë, niset procedura me kandidatin e parë (për kryeministër), pastaj, nëse nuk kalon, pas 15 ditësh, vazhdohet me të dytin. Në rast se dështon edhe ky, shkohet në zgjedhje. Kjo është procedurë, si punë Sizifi. Mendoj që varianti i dytë nuk e vlen, sepse është tallje me legjitimitetin politik dhe kushtetues”, ka thënë Hasani.

Mendim të përafërt ka edhe politologu Ramush Tahiri. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që praktikat e deritashme juridike në Kosovë, tregojnë që pas rrëzimit të Qeverisë ose pas dorëheqjes së kryeministrit, vendi shkon në zgjedhje. Siç thotë ai, partitë politike në vend janë deklaruar se dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje, përfshirë edhe partinë e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thekson që spektri politik i Kosovës gjendet në një situatë mjaft të komplikuar, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit, për shkak se nuk është i përgatitur për zgjedhje.

Por, sipas tij, zgjedhjet janë të pashmangshme në këtë situatë, për shkak se tani e disa vite institucionet e Kosovës janë, siç thotë ai, jofunksionale dhe nuk kanë mundur të marrin vendime të mëdha, e në veçanti sa i përket dialogut me Serbinë, për të cilin ekziston presion i madh ndërkombëtar./ Opinion.al

Pas