Xhampiero Ventura do të jetë trajneri i ri i Italisë për dy vitet e ardhshme. Lajmi konfirmohet nga gazeta më e madhe sportive në Itali “La Gazzetta dello Sport”.
Emri i tij pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim. Kontrata e trajnerit të Torinos do të jetë me një kohëzgjatje 2-vjeçare, deri në përfundim të botërorit të ardhshëm “Rusi 2018”; me një pagë prej rreth 2 milionë euro në vit.
Pjesë e stafit të kombëtares italiane të futbollit do të jetë edhe ish-trajneri Marçelo Lipi. Ky i fundit do të ketë rolin e supervizorit dhe të drejtorit teknik, shkruan “Panoramasport”.
Më herët, Ventura ishte një ndër kandidatët për postin e trajnerit, bashkë me Xhani De Biazin. Trajneri i Kombëtares shqiptare u vlerësua si një kandidaturë e mundshme për drejtimin e ‘axurrëve’, por me sa duket Tavekio e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij.