Aktualitet

DASH: Shqipëria mbetet në Kategorinë II në Raportin për Trafikun me Njerëz


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:47 - 25/06/20 |
Opi Nion

Departamenti amerikan i Shtetit nxori të enjten raportin e ri vjetor mbi situatën e trafikut me njerëz në shkallë globale. Departamenti i Shtetit po shënon këtë radhë 20 vjetorin e krijimit të këtij raporti që është bërë një mjet i fuqishëm për të kërkuar reforma nga autoritetet kudo në botë për të luftuar këtë fenomen. “Për 20 vjet, Raporti vjetor për Trafikun me Njerëz ka dëshmuar bindjen e Shteteve të Bashkuara se trafiku me njerëz është një kërcënim global që kërkon një përgjigje globale,” shprehet Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në prezantimin e raportit të ri.

Përllogaritet që rreth 25 milionë vetë në mbarë globin nuk gëzojnë të drejtat bazë të lirisë pasi janë viktima të trafikut për fitim, sipas raportit të Departamentit të Shtetit.

Raporti i kategorizon vendet në tre grupe. Në kategorinë e parë janë vendet që e trajtojnë me prioritet dhe seriozitet këtë përparësi dhe kanë strukturat e nevojshme për të identifikuar, mbrojtur dhe ndihmuar e integruar viktimat, si dhe për të ndëshkuar trafikantët.

Kapitulli për Shqipërinë

Shqipëria edhe këtë vit renditet në Kategorinë e Dytë të raportit, ku përfshihen vendet që nuk përmbushin plotësisht standardet minimale, por kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t’iu afruar këtyre standardeve.

Por raporti vëren se qeveria ende ka mangësi në disa fusha kyçe. Gjatë viteve 2018, 2019 autoritetet shqiptare dënuan pesë trafikantë, numri më i ulët që në 2014.

Në struktura ende mungojnë përpjekjet për të identifikuar dhe kontrolluar popullatat më të rrezikuara si imigrantët, azil-kërkuesit, individët që punojnë në tregtinë e seksit dhe fëmijët.

Po ashtu, raporti vëren se ka vazhduar të ketë vonesa në akordimin e fondeve për qendrat e strehimit të operuara nga organizata joqeveritare dhe se shërbimet sociale nuk kanë fonde të mjaftueshme për përkujdesje afat-gjatë dhe ri-integrim në shoqëri, sidomos për të mitur apo viktima me fëmijë.

Në raportin e sivjetshëm, Departamenti i Shtetit vlerëson se qeveria e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet në aspekte si dënime të konsiderueshme për trafikantët, identifikim i një numri më të madh viktimash dhe trajnim më të gjerë për zyrtarët që merren me këtë problem.

Departamenti i Shtetit rekomandon përpjekje më energjike për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët, përfshirë zyrtarët e përfshirë në këtë aktivitet. Përpjekje më të mëdha për të identifikuar dhe mbrojtur popullatat e rrezikuara dhe për të përgatitur inspektorët, policët dhe zyrtarët e tjerë që janë në kontakt direkt me persona të rrezikuar apo të trafikuar. Në raport rekomandohet krijimi i mekanizmave financuese për të ndarë fonde dhe burime të mjaftueshme për qendrat që ndihmojnë dhe mbështesin viktimat e trafikut me njerëz dhe për të mundësuar ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Departamenti i Shtetit rekomandon që të zgjerohen kompetencat e inspektorëve të bizneseve për të kontrolluar biznese të paregjistruara, si dhe shtimin e masave mbrojtëse për dëshmitarët dhe viktimat.

Ndjekja Penale: Raporti vlerëson dënimet e dhëna me 8-15 vjet burgim për trafikim të një viktime në moshë të rritur dhe 10-20 vjet për një viktime në moshë të mitur. Në dallim me vitet e mëparshme, qeveria nuk ka ndjekur penalisht në mënyrë të vetëdijshme viktimat, thuhet në raport, por ka pasur raste kur viktimat kanë vazhduar të ndëshkohen, pasi nuk është bërë punë e mjaftueshme për identifikimin e personit trafikant dhe të viktimës. Qeveria, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, vazhdon të mos zbatojë në mënyrë konsisente një praktikë hetimesh dhe ndjekjesh penale që udhëhiqet nga synimi për mirëqënien e viktimës.

Problemi i trafikut me njerëz në Shqipëri gjatë pesë vjetëve të fundit mbetet i lidhur me shrytëzimin si brenda vendit të viktimave shqiptare dhe të huaja, ashtu edhe dërgimin e viktimave jashtë vendit për shfrytëzim. Gra dhe fëmijë shfrytëzohen në tregtinë e seksit dhe për punë të detyruar brenda vendit, sidomos në sezonin e turizmit. Ndërkaq, me premtime fallso për martesë apo për punë, viktimat dërgohen jashtë dhe shfrytëzohen në tregtinë e seksit. Fëmijët shpesh përdoren për të lypur në rrugë, apo për tregti. Ka pasur edhe raportime të rralla për shfrytëzimin e fëmijëve në kultivimin e kanabisit.

Kapitulli për Kosovën

Raporti i Departamentit të Shtetit vlerëson shtimin e përpjekjeve nga qeveria e Kosovës gjatë vitit të fundit për të luftuar problemin e trafikut me njerëz. Por raporti vëren se Kosova ende nuk përmbush standardet minimale në kategorizimin e Departamentit të Shtetit, prandaj vazhdon të renditet në kategorinë e dytë.

Problemet kryesore të identifikuara lidhen me përgatitje të pamjaftueshme të zyrtarëve dhe punonjësve të tjerë për të identifikuar viktimat, sidomos fëmijët që lypin. Po ashtu, gjykatat vazhdojnë të japin dënime të lehta për trafikantët. Departamenti i Shtetit vëren se megjithë shtimin e fondeve të përgjithshme për mbrojtjen e viktimave, fondet qeveriare për qendrat që ndihmojnë viktimat kanë shënuar rënie për të pestin vit radhazi.

Departamenti i Shtetit rekomandon përpjekje më të fuqishme për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët dhe zyrtarët e përzier në këtë aktivitet. Po ashtu raporti rekomandon mbështetjen me fonde të mjaftueshme të organizatave dhe qendrave që ndihmojnë viktimat. DASH rekomandon caktimin e gjykatësve dhe prokurorëve të kualifikuar në çdo rajon që të merren me këtë problem, si dhe përgatitjen e një udhëzuesi të shkruar për të ndihmuar punonjësit e rendit të identifikojnë dhe ndihmojnë fëmijët që lypin në rrugë. Një tjetër rekomandim është përshpejtimi i ritmeve të gjykimit të lëndëve gjyqësore, përfshirë ato të trafikimeve.

Gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët kanë vazhduar të shfrytëzojnë viktimat e trafikut brenda dhe jashtë Kosovës. Brenda vendit, viktimat shfrytëzohen në tregtinë e seksit. Pjesa më e madhe e këtyre viktimave janë vajza nga Kosova, por ka edhe viktima të sjella nga Serbia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera. Fëmijë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera detyrohen të dalin për të lypur në rrugë. Rrjetet trafikante i dërgojnë viktimat edhe jashtë vendit për shfrytëzim në tregtinë e seksit në Evropë. Popullata rome, ashkali dhe egjiptase është më e kërcënuar nga trafiku me njerëz për tregtinë e seksit apo si lypësa. Korrupsioni në qeveri, përfundon raporti i Departamentit të Shtetit, mundëson disa nga këto akte të trafikut me njerëz./ VOA

Pas