Rajoni

Chollet takon krerët shtetërorë të Kosovës



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:24 - 11/01/23 |
Opi Nion

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, duke takuar krerët shtetërorë.

Fillimisht, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, dhe më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Detajet nga takimet ende nuk janë bërë publike.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i DASH-it, në takimin me Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.

Sipas njoftimit të DASH-it, ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.

“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.

“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.

Fokusi te plani franko-gjerman

Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.

Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.

“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.

Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.

Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.

SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.

“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.

“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.

Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

“Nisma diplomatike ka për qëllim që Serbia ‘të detyrohet’ që të diskutojë për planin franko-gjerman”

Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.

“Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.

Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.

Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.

Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.

“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.

“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.

“Vijat e kuqe” të Serbisë

Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.

Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës.

Daçiq më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.

Interesimi i ndërkombëtarëve për marrëveshjen finale

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.

Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.

Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.

“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.

Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiqit se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

 

Pas