Aktualitet

“Çdo kush mund të ketë vrarë dikë por nuk e di”


               Publikuar në : 13:18 - 18/07/19 |
geliano fataj

Një nga propozimet e qeverisë, për ndryshimet në kodin penal është dhe ashpërsimi i dënimit për ata që mbajnë armë.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli në Kuvend, ndërsa tha se për sa kohë ja kemi hequr mundësinë ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari.

“Ju e dini që ne jemi një vend që nuk e ka dënimin me vdekje, ndërkohë që ka vende të tjera që kanë dënim me vdekje dhe ndjekin politika shumë liberale ndaj armëve, po themi Amerika, e cila i lejon armët, por bashkë me armën të jep mundësinë e uljes në karrigen elektrike apo në shtratin e infuzionit helmues kur ti e shkel. Ne që e kemi hequr dënimin me vdekje, duhet të heqim edhe mundësinë fizike që dikush të vrasë. Kur ja kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi”.

Lleshaj “çuditi” me deklaratën e tij kur tha se gjithsecili që mund të ketë qëlluar me armë në vitin 1997, mund të ketë vrarë dikë por nuk e di dhe nuk është i qartë për këtë fakt.

“Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë. Mos harroni se në vitin e famshëm ‘97 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz në mënyrë të pavullnetshme. Thjesht për faktin se shqiptarët nuk e dinin ende në atë kohë, shumë prej tyre, diferencën midis një instrumenti muzikor dhe një instrumenti që quhet pushkë. Dhe nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë. Se i kanë hedhur ata plumba në ajër, të cilat diku kanë rënë dhe kanë vrarë dikë, dhe dikush sot nuk mund të jetë i qartë që s’ka vrarë njeri edhe nuk e di”/ Opinion.al

Pas