Ish-kryetari i partisë Sali Berisha do të jetë sërish në listat garuese të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit. Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetari i PD Lulzim Basha gjatë një interviste në emisionin “Opinion. ”
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse Berisha do të jetë sërish në lista, përgjigja e Bashës qe e shkurtër dhe direkte: Po.
Pyetjes se në cilin qytet do të vendoset kandidatura e tij, Basha ju përgjigj: Ku të dojë.
Ndërkohë i pyetur për hapjen e partisë, Basha pranoi se ajo është e hapur edhe për zërat kritikë, ndërsa pohoi që ky fakt tashmë është vërtetuar.
Gjatë intervistës, kryetari i PD mohoi çdo mundësi për krijimin e një qeverie së bashku me PS. “Është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e një rilindjeje e cila përbën një rrezik jetik për PS. Partia Socialiste e ka jetike të dali në opozitë dhe të distancohet nga krimi”, tha Basha. /Opinion.al