Bashkimi Evropian do të mbajë të enjten një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Shëndetësisë, së bashku me një të dërguar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të diskutuar rreth shpërthimit të koronavirusit të ri në Kinë.
Deri më tani, rreth 30 raste me koronavirus janë regjistruar në Evropë, por OBSH-ja ka paralajmëruar se rastet jashtë Kinës mund të rriten shpejt.
“Tani është koha për të bashkuar forcat për ta ndaluar këtë epidemi”, tha komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.
Ministrat e BE-së pritet t’i diskutojnë mënyrat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Javën e kaluar, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka sugjeruar se Evropa duhet t’iu vendosë kufizime udhëtarëve nga Kina.
Por, për një masë të tillë duhet të pajtohen të 27 vendet anëtare të BE-së.
Koronavirusi, i cili është shfaqur për herë të parë në fund të vitit të kaluar, në qytetin Vuhan të Kinës, ka vrarë mbi 900 njerëz.
Rreth 40,000 janë infektuar në Kinë dhe rreth 350 jashtë saj.
Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.
Aktualisht nuk ka vaksinë për të. /Opinion.al