Bota

BE dhe NATO nuk duhet të lejojnë që Erdogan të bëhet një Putin i dytë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 19:51 - 26/12/22 |
Opi Nion

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po lufton për mbijetesën e tij politike. Turqia do të mbajë zgjedhjet e saj parlamentare dhe presidenciale në qershor të vitit të ardhshëm dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan dhe partneri i saj në koalicion, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), e ekstremit të djathtë, kanë pësuar rënie në sondazhe.

Edhe pse Erdogan e kontrollon aktualisht sistemin gjyqësor, nëse e humbet pushtetin, ai mund të ndiqet penalisht për një sërë krimesh, përfshirë korrupsionin, sjelljen e pahijshme dhe madje edhe për krime lufte. Ndaj ka nisur një sërë lëvizjesh brenda dhe jashtë vendit, me të vetmin qëllim:qëndrimin në pushtet.

Sipas të dhënave të publikuara më 14 dhjetor nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me seli në Nju Jork, Turqia ishte ndër 5 vendet kryesore të botës me më shumë gazetarë të burgosur për vitin 2022, pas Iranit, Kinës dhe Mianmarit. Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” për këtë vit, Turqia renditet e 149-ta nga 180 vende sa i përket lirisë së medias.

Burgjet në Turqi janë plot me të burgosur politikë. Pavarësisht kësaj, Erdogan arriti ta konsolidojë pushtetin e tij duke shfrytëzuar konfliktet e interesit midis qendrave të fuqive të mëdha, dhe përplasjes politike midis partive opozitare brenda Turqisë.

Efektet e rënda të pandemisë e përkeqësuan krizën financiare në Turqi për shkak të menaxhimit të dobët të ekonomisë, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës filloi të nxiste kërkesa ndaj Turqisë, si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina, gjë që kufizon aftësinë e Erdogan për të manovruar.

Pas dyerve të mbyllura, Rusia po kërkon që Turqia të veprojë kundër sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, SHBA-të e ka paralajmëruar Erdoganin, duke vendosur sanksione ndaj biznesmenit pranë tij, Sıtkı Ayan, me arsyetimin se ka lehtësuar shitjen e naftës për Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) me vlerë qindra miliona dollarë.

Për shembull, rregullorja e fundit e Autoritetit Detar të Turqisë, në bazë të së cilës u bllokuan disa cisterna me naftë që ishin nisur drejt BE-së duke kaluar tranzit në ngushticat turke me pretekstin e sigurisë së lundrimit, është cilësuar e paarsyeshme. Sepse pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, Autoriteti Detar Turk nuk mori masat e nevojshme për të rritur kompetencën e pilotëve, aspekt që ndikon direkt në sigurinë e lundrimit.

Prandaj, unë besoj se rregullorja e re ka shumë gjasa të jetë krijuar si një përgjigje ndaj kufirit të çmimit që vendosi BE dhe G7 ndaj naftës ruse. U duk sikur Turqia kishte filluar të vendoste sanksione ndaj Perëndimit, ndërsa Perëndimi po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me Rusinë.

Përveç kësaj, vendet perëndimore, të cilat nuk kanë qenë shumë kritike ndaj mospjesëmarrjes së Turqisë në sanksionet ndaj Rusisë, kanë filluar të denoncojnë me zë të lartë kompanitë turke që po ofrojnë një zgjidhje të përkohshme për furnizimin e Rusisë me disa produkte me përdorim të dyfishtë, që asaj i nevojiten për industrinë e mbrojtjes.

Nëse siç pritej, Rusia do të ishte në gjendje të mposhtte Ukrainën në një periudhë të shkurtër kohore, Moska nuk do të kishte nevojë për pjesë rezervë për ushtrinë e saj, dhe Erdogan nuk do të përballej me probleme që paraqesin një rrezik shumë të madh për pushtetin e tij.

Perëndimi, dhe sidomos BE-ja, dhe më konkretisht Gjermania, duhet të nxjerrin mësime nga marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë e Putinit. Varësia e tyre energjetike nga Rusia, i ka vendosur ata në një situatë shumë të keqe. Putini ka udhëhequr një regjim autoritar që është bërë më agresiv që nga pushtimi i Gjeorgjisë në vitin 2008.

Autoritetet gjermane duhet ta kishin parashikuar se një ditë do të paguanin kosto për blerjen e energjisë së lirë nga një autokrat. Në vend se të realizojnë shpresën e tyre për të ndihmuar në demokratizimin e Rusisë, lidhjet ekonomike me këtë të fundit e kanë forcuar makinerinë e luftës së Putinit.

Unë shpresoj që ata të mos bëjnë një gabim të tillë me Erdogan. Presidenti turk ka bërë prej kohësh zgjedhjen e tij të pakthyeshme për të marrë pjesë në ligën e regjimeve të korruptuara, autoritare, dhe Turqia s’mund ta ndryshojë kursin nëse qeveria Erdogan nuk bie nga pushteti.

Ai do të përpiqet ta bindë Perëndimin t’i japë mbështetje, herë me kërcënime dhe herë me oferta joshëse. Sa më shumë ta tolerojë Perëndimi, aq më shumë ka gjasa që ai të bëhet një Putin i vogël. Erdogan ofroi së fundmi çuarjen në Evropë të gazit nga Turkmenistani, një projekt që ndoshta do të kërkojë vite për t’u realizuar.

Ai e di se energjia është shumë më rëndësi për Evropën, dhe dëshiron ta përdorë pozicionin gjeografik të Turqisë për të bërë pazare. Erdogan po i kërkon Perëndimit të mbyllë sytë përballë veprimeve të tij të paligjshme brenda dhe jashtë Turqisë. Ai po bën tani gjithçka për të qëndruar në pushtet.

Për shembull, ka plotësisht nën kontroll gjyqësorin, siç u pa edhe nga dënimi me burg dhe përjashtimi nga politika i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem İmamoğlu në një gjyq të inskenuar politikisht pak kohë më parë. Si rezultat, Turqia renditet e 116-ta nga 140 vende në Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit Botëror të Drejtësisë.

İmamoğlu konsiderohet si rivali më i fortë i Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme nëse garon për president, ndaj presidenti turk po përpiqet ta pengojë kandidimin e tij. Një shembull tjetër është përpjekja e tij për të pushtuar Sirinë Veriore, për të larguar vëmendjen e publikut turk nga ekonomia e dobët dhe për t’i mbyllur gojën opozitën.

Pas një sulmi me bombë në Stamboll, që shkaktoi 6 të vrarë, qeveria e Erdogan nxitoi të fajësonte Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), dhe pak ditë më vonë kreu sulme ajrore në Sirinë Veriore ndaj grupeve militante kurde. Madje Ankaraja po kërcënon me një ofensivë tokësore atje.

Por më pas u zbulua se e dyshuara për sulmin me bombë në Stamboll kishte lidhje me Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL) dhe Ushtrinë e Lirë Siriane, armiqtë kryesorë të grupeve militante kurde në Siri. Po ashtu, e akuzuara kishte lidhje me një zyrtar të partisë së koalicionit qeveritar MHP.

Erdogan dëshiron që Perëndimi të ndryshojë qasjen e tij ndaj Turqisë. Dhe në konceptin e tij kjo do të thotë mbyllje e syve ndaj veprimeve të regjimit të tij të korruptuar. Por meqë mbyllja e syve ndaj veprimeve të regjimit autoritar të Putinit nuk funksionoi për Perëndimin, e njëjta qasje me një diktator tjetër nuk do të jepte rezultate të ndryshme.

Ka pasur dhjetëra çështje ku Perëndimi nuk i është përgjigjur si duhet Erdogan. Para së gjithash, dihet se për gati 9 vjet zyrtarët e qeverisë turke janë përfshirë në shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Madje në atë kohë Erdogan i quajti hetimet për korrupsion një “grusht shteti” kundër tij, dhe burgosi ​​oficerët e policisë dhe prokurorët e përfshirë në hetime.

Më vonë hetimet u mbyllën nga gjyqtarët e emëruar nga Erdogan. Pati një shans për t’i rihapur ato në SHBA; por ajo u shpërdorua. Ndërkohë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) refuzon të pranojë mijëra aplikime të mundshme nga viktimat e një spastrimi pas grushtit të shtetit në Turqi, për shkak të mos-shterjes së mjeteve juridike turke.

E megjithatë, gjykatat në Turqi e kanë humbur pavarësinë e tyre, dhe kjo u bë më se e dukshme gjatë gjendjes së jashtëzakonshme 2-vjeçare të shpallur pas përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016, kur qeveria turke largoi nga puna më shumë se 130.000 nëpunës civilë punës me pretekstin e luftës kundër puçistëve.

GJEDNJ mund të kishte zgjedhur të pranonte aplikime nga viktimat e spastrimit në Turqi, sepse mjetet juridike vendase në vend janë joefektive. Për më tepër, Rusia zbuloi në vitin 2015 se Erdogan dhe anëtarët e familjes së tij, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në tregtinë e paligjshme të naftës me ISIS në Siri.

Konferenca e tyre për shtyp mund të gjendet ende në internet. Por Perëndimi mbylli njërin sy ndaj tij. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është zbulimi i trafikut të paligjshëm të armëve nga Turqia në ISIS dhe organizata të tjera terroriste të lidhura me Al-Kaedën në Siri. Oficerët e ushtrisë dhe policisë, si dhe prokurorët që zbuluan transferimin e paligjshëm të armëve në Siri, janë në burg që nga viti 2014.

Është zhgënjyese kur BE-ja dhe NATO-ja nuk reagojnë si duhet ndaj sjelljeve të paligjshme të Erdogan. Përkundrazi i përdorin ato vetëm si mjete për ta shantazhuar në disa raste, dhe për ta falënderuar dhe për t’i dhënë lëvdata të pamerituara kur ai bën diçka që e ka për detyrë.

Për shembull, kur Erdogan bllokoi cisternat e naftës që ishin nisur drejt BE-në, SHBA veproi duke vendosur sanksione ndaj biznesmenit Ayan. Për momentin, Turqia është tërhequr nga bllokimi i cisternave, por nëse nuk merr një paralajmërim shumë të fortë nga Perëndimi, është e sigurt se Erdogan do vazhdojë ta mbështesë Rusinë.

Nga ana tjetër, shumë liderë perëndimorë e falënderuan Turqinë për vendimin e saj për të mbyllur ngushticat turke për anijet luftarake ukrainase dhe ruse. Këto ishin lëvdata të pamerituara sepse sipas nenit 19 të Konventës së Montrosë, Turqia është e detyruar të mbyllë ngushticat për anijet luftarake të vendeve që janë në luftë.

Në përgjithësi, duhet të ketë një qasje më të vendosur jo vetëm kundër Erdoganit, por kundër të gjithë diktatorëve. Unë shpresoj që BE-ja dhe NATO të mësojnë nga rasti i Putinit, dhe të mos përsërisin më të njëjtat gabime me Erdoganin. Përndryshe, Erdogani do t’u shkaktojë po aq probleme sa edhe Putin.

Shënim:*Ahmet Yılmaz ka një diplomë master në strategjitë e sigurisë ndërkombëtare. Ai përdor pseudonim për arsye sigurie./ Nga Ahmet Yılmaz* “Turkish Minute”

Pas