Është vënë në pranga nga policia, Armando Sulejmani, ish-anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë.
I njohur me nofkën ‘Çipuri’, Sulejmani u prangos në Durrës, teksa lëvizte me një makinë me targa të vjedhura.
Sipas policisë, makina me të cilën lëvizte Sulejmani, dyshohet se mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që qarkullonte me një automjet me targa të vjedhura, që mund të përdorej për kryerjen e ngjarjeve kriminale, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Zëvendësimi”, për kapjen e këtij shtetasi dhe sekuestrimin e automjetit. Gjatë operacionit, në Spitallë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Mercedes Benz”, me drejtues Armando Sulejmanin, i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap Armando Sulejmani dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Nga veprimet hetimore rezultoi se targat e automjetit tip “Mercedes Benz”, që drejtonte ky shtetas, ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti. Në përfundim të veprimeve të para procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë Armando Sulejmani, 48 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vrasje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”. Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë”, tha policia e Durrësit në një njoftim për mediat.