Një shtetas serb i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile është arrestuar nga Policia e Kosovës në Lipjan.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës shtetasi me incialet G.S dyshohet se gjatë periudhës mes datës 15 dhe 16 Prill 1999, në bashkëpunim me persona të tjerë “pjesëtarë të njësive rezervë të ushtrisë dhe policisë serbe, gjatë një ofenzive kundër popullsisë civile në komunën e Lipjanit dhe rrethinë, përmes përdorimit e forcës ushtarake, plaçkitjes, dhunës dhe frikësimit, i kanë dëbuar popullsinë civile nga shtëpitë e tyre, pastaj nga familjet të cilat po përpiqeshin të largohen. Të pandehurit, i kanë ndarë dhjetra persona, të cilët më pas i kanë vrarë”.
Prokuroria ka ngritur akuzën për “krime lufte ndaj popullsisë civile” dhe i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë masën e paraburgimit për të arrestuarin. /Opinion.al