Kronikë

Apeli shpëtoi Dajtin nga “Burgu i përjetshëm”, ja si do veprojë Prokuroria


               Publikuar në : 21:12 - 09/02/19 |
b.f

Një ditë pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila  pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009, prokuroria bën me dije se do të bëjë rekurs.

“Panorama” mëson se rekursi për Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, që e shpëtoi nga burgu përjetë Dritan Dajtin do të behet sapo të dalë i zbardhur vendimi në fjalë.

Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Seanca gjyqësore në Apel filloi në orën 09:00 të ditës së djeshme, ndërsa vendimi përfundimtar i pesëshes së gjyqtarëve është dhënë në orët e pasdites, duke mbyllur kështu një nga proceset më të gjata gjyqësore dhe të shoqëruar me bujë.

Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.

Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Por, kjo nuk është hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, Kastriot Feskajt, Altin Dizdarit, Sajmir Duçkollarit dhe Fatos Xhanit gjykohet në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie. Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”.

Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti “Touareg”, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal, Policia!”, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit.

Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari.

Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.

Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. / Panorama

Pas