Rajoni

Anulohet vizita e Lavrovit në Serbi



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:20 - 06/06/22 |
Opi Nion

Rusia ka fajësuar Perëndimin pasi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka anuluar vizitën në Serbi, për shkak se shtetet përreth kanë mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanin e tij.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin e kryediplomatit rus.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenca e Serbisë ka bërë të ditur se në vend të takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me Lavrovin, lideri serb do të takohet me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko të hënën në orën 10:00.

Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Serbia është krejtësisht e varur nga nafta dhe gazi rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse./ REL

Pas