Aktualitet

Ambasadorja e SHBA-së takon Lleshajn dhe kryeprokurorin, çfarë u diskutua


               Publikuar në : 14:27 - 29/01/20 |
Opi Nion

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka vijuar dhe ditën e sotme takimet me ministrat e kabinetit “Rama”, si dhe kryeprokurorin Olsian Çela.

Pas takimit me Lleshajn, ambasada amerikane është shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale, se ambasadorja konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Ministrin e Brendshëm Sander Lleshaj. Gjatë takimit, Ambasadorja Kim rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në përpjekjet e tyre për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”-thuhet në regimin e ambasadës.

Ndërkohë, Lleshaj shprehet në reagimin e tij se në takimin me Kim është diskutuar për nevojën e një faze të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Ndamë vlerësime të njëjta për nevojën e një faze të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, për rolin e pazëvendësueshëm të Policisë së Shtetit për suksesin e reformës në drejtësi, për projekte të reja bashkëpunimi me SHBA, për thellim të partneritetit mes institucioneve të sigurisë nga të dyja vendet dhe për çështje të tjera me rëndësi. SHBA vijojnë të jenë partneri ynë i madh strategjik, përherë në krah dhe në mbështetje të përparimit të gjithanshëm të vendit tonë”, shkruan Lleshaj.

Lidhur me takimin me Çelajn mësoehet se ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka premtuar ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Gjithashtu Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ajo ka uruar Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela për zgjedhjen e tij në këtë detyrë.

Ditën e nesërme, ambasadorja amerikane ka një pritje me anëtarë të organeve të drejtësisë, por dhe gjithë aktorët, ekspertët dhe politikanët që morën pjesë në hartimin e reformës në drejtësi. Zbatimi i kësaj reforme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i parë edhe i ambasadores së re amerikane./ Opinion.al

Pas